KOMISARI ME GRADA TË ARTA NA U NGJIT TE PARAJSA

-Poemë- elegji kushtuar Kryekomsiar Nikollë VATNIKAJ – nga Fran Ukcama

Ra nji rrfe n`kthjellim Qershori,
ra mbi gur e ra mbi dru,
ra mi ah, n` degë ma t` mirë mori
ra mbi bli e ra mbi lis,
i ka ra krahnorit burrit,
plague janë trojet në fis..

U nxi dielli përmbi Pik,
n`Curraj Epër, u vra qielli,
Lumi i Plasë vajin ka nisë,
kjajnë kullat, lugjet trojet
po kjan kisha edhe logu,
shqiponjat idhshëm përpjekun,
trandet murana maje thepi,
ma fisnikun burr në votra,
Zoti në krah t`vetes e mori..

Gjamë të randë, kanë nisë malet,
me piskamë, grushta krahnorit,
zani ra Nikaj-Mërtur,
Drini i përcolli dallgët,
dallgë shpirti, dhimtë e shkumë..

Zani, majash m`Përtej Dri,
kap dhe Gashin me Krasniqe,
bie n`Gjakovë, Pejës përmbi,
oh kjo, kjo shungllajë shpirti!!

Zana nis vajin mbi amë,
amës trollit ku janë T‘shumtët,
hapet si vetimë në Tiranë,
ku janë dashamirët, miq e shokë,
aty ku janë fistarët,
ku qytetet, ku katundet,
gjithkund Kombit, ky kob ulet..

Heu u nis ma i miri, burri,
heu, zemra e djalit si kshtu ndali,
heu, vajton kreshta edhe guri
bjeshka, vrrini,
Piku der n`luginë lumi,
n`Parajsë ngjitet Komisari.

Bien kambanat pa pushue,
dridhma trojesh, rënkim shpirti,
Nikollë Vatnikaj, trim,
ku je tuj shkue,
kthehu he burrë mos na le kaq në trishtim,
po pyet votra, po thrret fisi..

E ka thirrë vetë Perendia,
bash në lulen e burrnisë,
lamtumirë miq e shoqëria,
lamtumirë Curraj–Epër,
lamtumirë, ku m`preku shpirti,
lamtumirë o bjeshkët e mia,
lamtumirë o Dri, o Fierzë,
lamtumirë Valbonë kthjellore.
lamtumirë Lugu i Malsisë..!
lamtumirë familje e shejtë,
o vllazni, t`dashur ku jeni,
tash e mbas
n` borë e n`dejtë,
n`mes Parajse do të më gjeni..

E u ngjit n`qiellnaja t`nalta,
ku prehen engjujt e zgjedhun,
komisari me grada t`arta,
dhimbje la,
lavdi e emër,
lot ujëvarë, ujëvarat kthjellun.

2..
U rrit n`familje fisnike,
dritë, urti dhe dashuni,
shpirt lirie,
i dha prush, i dha sojni..

Shkollat kudo ku i ngjiti,
shkëlqimtar si dritë agimi,
gjithmonë emni i tij përndriti,
më i dashuni dhe më i miri..

Shtigjeve vendlindjes shërbeu,
mësues i shquar, atdhetar,
atje nalt në Curraj Epër,
n`djep t`vendlindjes, krenar..

Pas u ngjit në udhë të ndritura,
gati në shërbim t`Atdheut,
oficer, ku e thrret detyra,
fjala e tij si puhizë deti..

Fjala e tij mjaltë dhe hoje,
Buzeqeshja si diell pranvere,
Veç urti nxirrte prej goje,
Dhe trimerinë kish n`kryehere..

Arriti n`postet ma t`nalta,
rrallë si Ai, i dha nder trollit,
kompletuar n`dije e grada,
si dikur ke Beqir Ndou..

Fiseve Nikaj – Mertur,
kudo shkoi u rriti nderin,
si shqiponjë gur mbi gur,
shndriti bujarinë dhe besën.
U ngjit nalt si ngjitet ylli,
yllësive të karrirës,
në Tropojë, Shkodër-shpirti,
ishte e mbeti andërr e shpresë..

Ku sherbeu la nder dhe emën,
la burrni dhe fisnikëri,
dekoratat dhe medaljet,
rrëfejnë vlerat e Tij..

Ai kurrë nuk shkeli rregullin,
kurrë nuk preku zemër pa faj,
vlersonte si strateg shtetin,
sherbeu pastër skaj më skaj..

Tridhjetë vjet ku e thirri detyra,
i Atdheut,
gati në kambë,
ndodhin gjana jo fort t`mira,
komisarin n`lirim e lanë..

Intriga, paragjykime,
i ranë shpirtit dridhë termeti,
kur ka furtuna dhe hile,
dhe cunamet i ngre deti..

E ganduen pa të drejtë,
e goditen pabesisht,
oh, pas vdekjes,
dhe pse vijnë rresht,
vlersimet nuk kan ma ndritë..

Se mbi t‘gjitha vndoj Atdheun,
vuri flamurin-lirinë,
si gurrë bjeshke i rridhte në deje,
dashuria për Shqiperinë..

Kqyrni botës,
botës ktheni,
ku ka polic, komisar
kaq t`hijeshëm kurrë s`do gjeni,
si çetinë,
si shqiponjë,
gradat n`supe yje-ar..!!!

3…
O ju vllazen prani gjamën,
trimat, me shtatin artisti,
nuk e kanë për hije vajin,
kanë në nder,
kanë për soj,
kangë e ligjerim bilbili..

Ndue, mik,
o vëlla poet,
merre n`dorë njat lahutë kreshnike,
ngjiti vargjet kep e m`kep,
n`Rruk e n`Therme e der n`Krasniqe,
e n` Tiranë,
gjallnisë ku je,
e m`atë anë, Shalë e m`Shosh,
kurrë mos t`prash,
kurrë mos t`pushosh,
se Nikolla vjen për ditë,
vjen me rreze, vjen me dritë,
rron në nder e në lavdi,
thuri himne, rapsodi..
si të do zemra ty
si dhe shpirti yt e di..

Lulash,
ktheje lotin në krua,
ku lajnë sytë shtojëzovallat,
se Nikolla fort i donte,
lug më lug e lule më lule,
bukurinë ua shijonte.
N`gurra nuk u ngi kurrë,
ky skofnar fort i lakmonte..
Halil i kohës moderrne
burrë me hieshi e nur..

Gjin, o shef,
qëndro o trim,
mbaje nalt emnin e tij,
ec në udhën që la n`shteg,
merre dritën që la ndez,
ndiz pishtar vrri e bjeshkë,
e përcille brez e në brez,
amanet yjet e qiellit,
ndizi n` kohën e shërbimit,
ta ndrijnë logun,
muranën e shpirtit.

Motra,
o dashuri shpirti,
Dukate bijë, ah moj Sose,
dhimbja e shëmb edhe malin,
Doruntina n`fise të tjera,
prani vaje,
dhe ofshaje,
e nderoni si i ka hije,
oh, Nikollën ma të shtrejtin,
ma të dashtunin..
Kur te vini ju si bija,
kqyrni n`qiell, do t`ju dalin..

Do të dalë si verë lulueme,
si pikture e pikturueme,
njato rreze t`vezullueme,
ku e mban dielli paprerue..
aty pra qiellit mbi,
ndrit për jetë kurmi i tij..

Antoneta,
mjaltë e helm,
helm e mjaltë, kënka jeta.
O bashkshorte fisnike,
pate burrë, një yll drite,
pate diell n`dritë të synit,
pate yllin e agimit..
Ai, dije, nuk është shuar,
mes yllësive ka kaluar,
shumë, më shumë për të dritësuar,
atje nalt ai ndrit për ju,
ai u kqyr nga qielli blu,
ai vjen natën e ditën,
se s`rrin dot pa Adin djalë,
nuk shtyn dot pa Desantilën,
dhe nuk ka marak se e din,
pat në krah Dardanën shpirt,
të pat ty që fale gëzim,
një pranverë, lule e blerim…

Desantilë,
Desantilë,
Desantilë, a e dëgjove,
thirri kur jetën po ndrronte,
se të kisht dritë në sy,
se të kishte hajmali,
se të kishte bukuri,
se të kishte mirësi,
se gjithmonë s` pra shpirti i tij,
tuj të kqyrë,
tuj lexue poezi,
tuj lexue vjollcat nan borë,
oh, rreshtat tua si kunorë,
që të mbeten ngri në dorë.
Dije, dije Desantilë,
i ka mbledhur në faltore,
njat faltore të përmotshme,
në krahnor!!
E do të vijë në përurime,
e do të vijë si vinte gjithmonë,
për Shën’Nikollë.
Dhe kur t`bëhesh nuse e bukur,
Luleborë, me kunorë..!!!

Adi,
ti ma i miri, djali,
pranë të vjen t`puth n`ball babi,
herë i thjeshtë,
herë me petka komisari,
bir, o bir,
ti ngre kullën nalt si Ai,
ti trashëgo vyrtyt, cilësi.
Dije Adi,
tek ti, ai gjithmonë gati,
të këshillon,
të jep frymëzim, shpresë
kurrë mos ndal, mos bjer n` trishtim,
ke plot fisit,
vllazën e motra,
xhaxhallarë, që si ka bota,
ti mëso, vijo me shkollë,
ngjitu majash, diturisë,
n`sup te prek babi Nikollë,
dhe n`krahnuer,
ta ruash me nder,
kudo t`shkelesh në jetë,
kudo t`udhëtosh mbi drita,
krenisht thuaj,
-Unë jam Adi,
jam djali komisari,
unë jam Klaudio Nikollë Vatnikaj..!!!

4..
Amanet,
amanet,
amanet,
amanet troje mbet shkretë,
m`ndieni sot, nalt te qiejt,
Curraj-Epër, Itakë e shejtë,
nepër botë ke Odisetë.
Odisetë, shpirt vullkan,
i pa mbyllë krater i nxehtë,
valë mbi valë,
kurrë s`e ndiejn veten të qetë..

Udhës,
udhës, ngjiten përpjetë,
me thonj po shkyejnë retë,
zharitë mallit,
rjepë e djegë
vijnë e ndjejnë..
ndjejnë të shumtit tek rrëfejnë..

Ndjej dhe unë këtë dekë ringjallje,
se s`ka dekë, për komisar,
se s`ka vorr, por ka saraje,
ku ky princ u ngjit pa dashje,
ky princ Nikajsh,
si kah doka, dhe për fjalë,
dhe për veprën që la gjallë,
ah, i madhi Zot pse e ndale..
pse na kpute kesaj mbramje…

Pse ia preve udhën e bardhë,
kishte andrra,
kishte kangë,
shumë prej tyne mbenë pa thanë..

M`ka ra shpatë në shpirt dhe mue,
dhe pse, se pata takue,
por kur pash staturën e tij,
zemra në kallkan m`u ngri..
e kjo verë qysh m`u ba dimen,
kush duron kaq kollaj dhimbjen!!

Si mundet me e marr kaq të ri,
si na more këtë fisnikëri,
si na more këtë trimëri,
si na more këtë urti,
si na more këtë zgjuarsi,
si na bane qiellin n`gri,

Komisar Nikollë Vatnikaj,
dritë t`u baftë udhnaja e ngjitja,
dritë t`u baftë dhe shpia e Zotit,
tash mbas sodit,
tash mbas sodit,
kah burrnia, kah zgjuarsia,
kah urtia, kah trimnia,
je simbol n`zemër të Kombit!!