Nga Ardian Progni
Veshje tipike e grave në Shqipërinë Veriore, mbi lumin Drin, Nikaj-Mërturi e Rugova, Malësi e Madhe dhe shqiptarë të Malit të Zi, në zonën e Nën Shkodrës deri në Breg të Matit ku malësorët e Malësisë së Madhe kanë zbritur.
Xhubleta është një fund në trajtë këmbane, që vjen i valëzuar përfundi, sidomos në pjesën e mbrapme. Përbëhej nga një numër i madh copash e rripash të ngushtë shajaku, qepur horizontalisht dhe të ndërthurur me breza gajtanësh. Mbahet e varur në supe me dy rripa të gjërë.
Në shek. XVIII, xhubleta përbëhej nga shumë ngjyra, por ato që na kanë mbërritur në ditët e sotme janë: të zeza për gratë dhe bardhë e zi për vajzat. Pjesë të tjera të kostumit me xhubletë janë: kraholinë, xhoka, kërdhokla, paraniku, kallmat e shputat, etj.
Xhubleta është me prejardhje të lashtë. Paraqet ngjashmëri me veshjen e disa figurinave neolitike të gjetura në Bosnje, por edhe në vise të tjera të Mesdheut, që i përkasin mijëvjecarit te dytë para erës sonë dhe lidhen me qytetërimet e vjetra mesdhetare.
Xhubleta e Malësisë është trashëgimi e qartë e prejardhjes ilire të kulturës tone, që malsorët e përcollen deri në vitet 1950-1960, pra përbën një nga elementët identifikues të veshjes popullore shqiptare, nëpërmjet motiveve, ku emblema për të gjitha është shqiponja. Xhubleta përmban një seri simbolesh ku paraqesin lidhjet me fenë katolike, besimin te zoti ,dashurinë dhe thekson bukurinë e femrës malësore.