“Lufta” e aeroporteve në Ballkan, turizmi ngre Rinasin – Dominojnë ende Shkupi dhe Podgorica

Sektori i transporti ajror në vend po kalon prej muajsh një moment të mirë, duke shënuar rritje të vazhdueshme të numrit të pasagjerëve që fluturojnë brenda apo jashtë Shqipërisë.

Kjo ka sjellë gjatë katër muajve të parë të 2018-ës mbi 772 mijë pasagjerë, një rritje vjetore prej 10.7% për aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas. Kjo rritje është mbi mesataren e aeroporteve europiane prej 6.9%, megjithatë krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria duket se mbetet disi pas.

Aeroporti “Aleksandri i Madh” në Shkup është ai që dominon zgjerimin në hapësirën e fluturimeve në Ballkan, duke shënuar një rritje vjetore pasagjerësh prej 21% për periudhën Janar-Prill. Pas tij ndjekin aeroporti i Pogdoricës me një rritje prej 17.6% dhe aeroporti i Sarajevës me 15.5%.

Po ashtu, një rritje vjetore më të madhe ka edhe aeroporti i Prishtinës me 12.4%. I vetmi aeroport në rajon që ka shënuar numra më të ulët se Shqipëria është vetëm “Nikolla Tesla” në Beograd, me një rritje prej 5.2%, por i cili ka një fluks pasagjerësh sa dyfishi i Rinasit për të njëjtën periudhë (1.44 milionë).

Megjithatë, grafiku i mëposhtëm që pasqyron ecurinë e këtyre aeroporteve gjatë këtij viti tregon një tendencë të zbehjes së rritjes së konkurrentëve në rajon, teksa i afrohemi sezonit veror, kur Shqipëria pret edhe fluksin më të madh të pasagjerëve, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.

Burimi: Këshilli Ndërkombëtar i AeroporteveKrahasuar me pjesën tjetër të Europës, Shqipëria renditet e 16-ta për rritjen e numrit të pasagjerëve. Teksa rritja mbështetet kryesisht në performancën e vendeve të Europës Lindore, në terma absolutë, janë aeroportet e Turqisë që kanë regjistruar numrin më të madh të pasagjerëve, mbështetur nga rritja e fortë e industrisë së turizmit.

Angelo Haruni /SCAN