Sheshet të gënjejnë!

Nga Ilir KADIA

Sabri Godo asnjëherë nuk thoshte “jo” kur i afroja mikrofonin e BBC. Sa minuta e do? -më thosh. Dhe më zgjidhte hallin.
Nuk mbaj mend tamam çfarë fushate ish por sheshet gjëmonin të stërmbushur edhe nga socialistët edhe nga demokratët. Se ndaje dot kush do fitonte.
Eh, tundi kokën miku im Sabri, sheshet të gënjejnë. Dhe më tregoi se nuk kish disa muaj që kish krijuar Partinë Republikane kur kryetari i saj për Laçin e ftoi në një tubim atje. Vajta, tha Sabriu dhe, u befasova. Salla e Pallatit të Kulturës stërplot! Ore, i thashë atij që më ftoi, e paskemi të fortë Partinë këtu. Gjithë ky popull!!!
Ai qeshi. Janë të njëjtët njerëz. Këta ishin edhe kur erdhi Berisha, edhe kur erdhi Nano! S’ kanë ku shkojnë! Jepeshin shfaqje teatri më parë në këtë sallë!
Që aherë, e mbylli Sabri Godo, unë nuk i besoj as shesheve as sallave plot!
Plaku i urtë i politikës e mori këtë mësim shumë herët, që nga fillimi! Unë?! Shumë më vonë!