Mbi një urë

Nga Nikollë LOKA

Hypur mbi një urë
që s’të nxjerr më përtej,
në udhën
që s’të çon as s’të kthen,
sipër ujit
që s’ të merr e s’të lë,
në urë, përjetësisht atje,
e kroj rrjedh më përtej…

Sheh krojet
që u thanë dikur,
mbi lumin
që ik e s’të pret,
andej nga dritëson një shteg,
këndej dhe andej,
mbi një urë
që s’të nxjerr dot në breg.