Mrekullia e Krijuesit: Akacia, druri që përdor parazitët për t’u mbrojtur nga grabitqarët

Nga Shkëlzen Lushaj

Druri akacie në Parkun Serengeti – Tanzani, është një prej bimëve më inteligjente që ka krijuar Natyra. Inteligjenca qëndron te përshtatja e bimës për të bashkëjetuar me insektet armike, në funksion të mbrojtjes ndaj armikut të madh – kafshëve të egra barngrënëse. Parazitët sulmojnë akacien duke i marrë nektarin, ndërsa kafshët si gjirafa synojnë fletët e drurit. Por akacia e Afrikës ka evoluar duke pranuar bashkëjetesën me insektet dhe duke u ofruar nektarin, në këmbim të sigurisë: sa herë një kafshë i afrohet për t’i ngrënë fletët, insektet i sulen në fytyrë për ta shtyrë tej. Po në këtë çast, akacie lëshon edhe alarmin paralajmërues: një lloj gazi, i cili prek akaciet e tjera në rreze prej 50 metrash, duke i njoftuar për rrezikun që u avitet.
Druri ka krijuar edhe një tjetër sistem mbrojtjeje nga insektet: ato mund të ushqehen me gjithë nektarin e drurit, por kur vjen puna te lulja, bima krijon një gaz që i mban ato larg. Si rezultat, në stinën e pllenimit, bima shumohet e sigurt, duke ruajtur kështu vazhdimësinë e natyrës, dhuratës më të bukur që Krijuesi i ka falur njeriut.

Serengeti Park
02.02.2018