Çfarë do të ndodhte sikur…..?

Nga Qazim Selimaj

Çfarë do të ndodhte sikur politikanët tanë do tregoheshin vetëm një herë të përgjegjshëm?. Kjo pyetje shtrohet po ti referohesh spirales të dështimeve te funksionalizmit të demokracisë dhe shtetit demokratik.

Spirale e cila njeh vetëm ngritje duke prodhuar pareshtur politika dhe qeverisje frenuese të proceseve të mëdha të integrimit evropian por edhe të mirëqenies sociale. Papërgjegjshmëria ky virus i krijuar si mutacion i keqqeverisjes të pleksur me krimin, korrupsionin, paaftësinë, partikularizmin, krahinalizmin, mungesën e vizionit dhe politikave të shëndetshme është ngërçi ynë i madh.

Nuk është pjellë e kritiçizmit por rrezik real që qeverisja në këtë vend hap pas hapi po degradon në regjim autokratik i kontrolluar nga oligarkë të politikës, krimit dhe parasë të pistë.

Apologjia e kryeministrit dhe ministrit të brendshëm për situatën e krijuar në ditët e fundit nga cunami Xhafaj (Agroni apo Geroni) nuk është indice por provë e këtij realiteti.

Apostrofimi i opozitës me fjalor fyes, kërcënimi i saj me burg janë krahasimisht të njëjtat me ato që Gruevski dhe Mihajllkovski u bënin opozitës maqedone jo më shumë se dy vjet përpara.

Në realitet gjendja e krijuar dhe vorbulla në të cilën pritet të hyjë sistemi politik në Shqipëri është shumë me absurd dhe skandaloz se në Maqedoni. Ky ndoshta është i vetmi vend ku dy vëllezër janë në pole kaq të kundërta dhe të përbashkëta. Njeri Ministër i Brendshëm dhe tjetri në burg i dënuar për krim të organizuar. Apo me tej, kur Ministri i Brendshëm është subjekt i ligjit antimafie. Pra thjesht duket se situata po rrëshqet drejt zhvillimeve të paparashikuara.

Për fat të keq po vazhdohet të luhet me rrezikun duke e vulosur edhe këtë periudhë historike si shumë të tjera, të dështuar dhe shans humbura.

Pavarësisht fabulave me qengja dhe ujqër që na tregon prijësi ynë i plotpushtetshëm apo edhe kalemxhinj sahanlëpirës pranë tij, e shumëpritura reformë në drejtësi ka filluar të eci këmbëthyer. Integrimi (hapja e negociatave) është gozhduar në rrethin e skeptikëve të aleatve kryesor evropianë. Ekonomia ka stagnuar. As kërkush nuk di të thotë se cilat janë përparësitë dhe politikat zhvilluese për të siguruar shtratin nga do të lëvizë zhvillimi ekonomik.

Çmimi i kësaj gjendje është papërgjegjshmëria. Në çdo vend demokratik ka dy lloj përgjegjësish. E para është përgjegjësia politike e dyta penale. Të parën e menaxhon politika dhe media, të dytën drejtësia dhe institucionet e pavarura. E para menaxhohet me korrigjime, dorëheqje, shkarkime dhe dhënie për ndjekje penale kur është rasti, me dorëheqje qeverie dhe shkuarje në zgjedhje të parakohshme e tjera. Pra për të parën përgjigjet lidershipi politik. Të dytën e administron dhe menaxhon drejtësia e cila si rregull duhet të jetë e pavarur dhe jashtë ndikimit të së parës.

Po kur lideri “suprem” nuk e bën të parën por kërcënon me të dytën atëherë vjen në konsideratë konflikti politik dhe ruana zot edhe social. Kësisoj antievropianizimit dhe vendosjes të postbllokut të avancimit të interesave strategjike (integrimit) por edhe albanofobisë i shërben më shumë se kushdo tjetër pikërisht qeverisja që nuk merret me punën e saj.

Në kohën kur kërkohet unitet së paku rreth objektivave madhore kombëtare, kryeqeverisësi njëhershmi dhe kryeprivatizuesi i të gjitha pushteteve nuk len rast ti kalojë pa e provokuar opozitën.

Ai ka grumbulluar rreth vetës një takëm dyfish të dëmshëm, sepse përveç aftësive si demagoge i kanë mjetet dhe mundësitë për të klonuar mendjen e njerëzve duke e shterpëzuar plotësisht arsyen, logjikën dhe analizën.

Po si mundet që një vend i cili ishte dhe është në tehun e kritikave të ndërkombëtarëve për bashkëqeverisje me krimin të pranojë që Ministri i Brendshëm të jetë familjar i një kryetrafikanti. Natyrisht Xhafaj (Fatmiri) ministër nuk mund të mbajë përgjegjësi penale (gjithmonë nëse del i pastër si subjekt i ligjit antimafie) për çfarë ka bërë i vëllai por kurrsesi nuk mund të i largohet përgjegjësisë politike. Që do të thotë dorëheqje.

Dhe përgjegjësi politike në një sistem politik demokratik merret edhe për raste shumë më të thjeshta. Bile edhe ne Shqipëri kjo ka ndodhur. Rasti i ish ministrit Rusmajli.

Kësisoj kërkesa nga opozita për dorëheqje është e justifikuar qofte edhe duke e përdorur për marketing politik. Ajo është në të drejtën e saj të artikulohet, të qëndrojë dhe të kërkojë përgjegjësi për çdo rast dhe aq më shumë për një rast të cilin kryeministri me zë e më figurë por edhe Xhafa Ministër e kanë mohuar vazhdimisht dhe servirur si rast spekulimi nga opozita, deri në ditët kur u ba publik vendimi i gjykatës Italiane.

Prandaj është me vend të lihet opozita në punën e saj. Të gjithë ata që duan ti qasen kësaj situate me përgjegjësi qytetare e civile duhet ti kërkojnë qeverisë të bëjë punën dhe të marrë përgjegjësi politike. Kjo do të ishte ndihma dhe mbështetja më e mirë për qeverinë dhe qeverisjen. Lëreni të shkojë Xhafa Ministër. Fatkeqësinë e tij për asnjë rast dhe për asnjë arsye nuk duhet ta paguajnë shqiptarët dhe as Partia Socialiste. Në fund të fundit opozita ka në dorë vetëm fjalën.

Siç duken bathët krypushtetasi i të gjitha pushteteve legale dhe ilegale po përgatitet që në rast dështimi në hapjen e negociatave të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme duke e fajësuar opozitën.

Eksperiencë e përdorur me sukses të përkohshëm dhe me dëme të mëdha për integrimin e Maqedonisë nga autokrati Gruevski (e përkohshme, sepse tashmë fundi politik i tij dihet). Ka shumë arsye për ta bërë këtë zgjedhje dhe zgjidhje. Por arsye e mbiarsyes janë avantazhet që i krijon sistemi i mbipushtetit “demokratik” që ka ndërtuar, nevoja për të shfryrë stresin publik dhe krijimi i hapësirave të reja të frymëmarrjes nga skandalet që e kanë rrethuar qeverisjen e tij.

Sa do të funksionojë?. Ta shohim.

Megjithëse një hap i tillë pa konsensus dhe ligj të ri zgjedhor është papërgjegjshmëri e skajshme.

Por për mendje të kapluara nga pushtet i pakufizuar nuk përbën problem. I ndodhur në urgjencë dhe vështirsi të cilat i vijnë nga të gjitha anët, logjika të shpie në këtë përfundim. Aktualisht qeverisja politike e tepsisë, timonit, kusisë dhe kazanit është futur në një labirinth nga më të ngatërruarit. Për këtë edhe pse e dobët nuk është faji i opozitës.

Faji është i betejës për kontroll të të gjitha pushteteve, i privatizimit ekstrem (neoliberal) të ekonomisë dhe krimit të organizuar, i shkatërrimit të institucioneve të drejtësisë në emër të reformës në drejtësi.

A ka një vend demokratik apo edhe një precedent ku kryhen reforma kaq të thella dhe kërkohen të merren vendime kaq të mëdha ku nuk funksionon gjykata kushtetues përveçse në Shqipëri. Sigurisht që jo.

Duke u përgjigjur në pyetjen, nëse do të largohet ambasadori LU (amerikan) nga Tirana, ndihmësi i sekretarit të shtetit këto ditë deklaronte se edhe me largimin e tij ( në mesin e korrikut) prioritet tona do të jenë ato që janë: Reforma ne drejtësi, krimi i organizuar, korrupsioni, shmangia e kontrollit politik të drejtësisë dhe integrimi i Shqipërisë në BE.

Shihni është shtuar edhe një prioritet, pengimi i kontrollit politik të drejtësisë. Edhe për bufin, shigjetë kjo e drejtuar drejt qeverisë. Prandaj dalja nga qerthulli ku ka hyrë qeverisja nuk mund të bëhet veçse me përgjegjësi politike. Nxitimi për të gjetur fajtorë dhe “vrasës” të interesave kombëtare është jo vetëm i gabuar por dhe jo funksionues.

Sikundër edhe presioni i tërthortë me Kirill &Erdogoan &Vucic e ka fuqinë e zeros. Pra loja ka ndryshuar. E ky ndryshim ka partipicuar më marrjen e nismës nga opozita. Hera e parë kjo gjatë qeverisjeve Rama 1 dhe Rama 2.

Kjo është arsyeja pse Rama ka dalë jashtë skemave të kontrollit të opinionit politik dhe publik. Analizoni me vëmendje konfliktin e deklaratave publike rreth BUBALJES. Kësisoj kostoja më lehtë e kësaj qeverie por edhe këtij vendi është aplikimi i përgjegjësive politike dhe largimi i duarve nga lojë me drejtësinë.

Eksperienca e këtij vendi ka dëshmuar se kur je lidhur fort pas mullarit të pushtetit rrëzimi ka qenë i pashmangshëm.

Mundësia më e mirë që ka në dorë kjo qeveri është rikonfigurimi i plotë i saj duke i larë duart me Xhafën dhe jo vetëm me atë, si dhe ulja në negociata me opozitën për ti dhënë zgjidhje problemit të prokurores se përkohshme dhe krijimit të institucioneve të drejtësisë duke bërë edhe përmirësimet e nevojshme ne ligjet e miratuara pa praninë e saj.

Kjo do të thotë hapje e rrugës së drejtësisë të barabartë për të gjithë dhe suksesit të reformës në drejtësi.

Kjo do të thotë integrim dhe hapje negociatash. Koha është tani. Më vonë masa të tilla nuk do kenë vlerë.
Nëse kjo do të tentohet të bëhet kur nisma të kalojë nga duart e opozitës në institucione ne duart e opozitës në rrugë, atëherë kostoja do të jetë e madhe për vetë atë dhe Shqipërinë.

Çmimi i madhështisë thoshte – Winston Churchill, është përgjegjësia. Prandaj është legjitime që çdo njeri i përgjegjshëm në këtë vend të pyesë? Çfarë do të ndodhte sikur qeverisësit tanë do të tregohen të përgjegjshëm qoftë edhe një herë të vetme?. Dhe mbi pergjigjen e kesaj pyetje te vendosin.

20 Maj 2018.