Nënat që i mbrojnë shumë fëmijët ndikojnë negativisht në jetën e tyre

Fëmijët që kanë një nënë tepër protektive kanë më shumë mundësi të kenë çrregullime të ankthit.  Këto nëna janë vazhdimisht të pranishme në jetën e fëmijëve të tyre (edhe kur janë rritur) dhe janë të përkushtuara t’i mbrojnë fëmijët nga çdo lloj rreziku real ose jo real. “Ec ngadalë”, “kujdes” , “je mirë”, “pse nuk ha”, “mos dil luaj jashtë”, janë disa nga frazat që thuhen më shpesh nga nënat që duan të kenë nën kontroll çdo veprim të fëmijëve.

Objektivi i tyre kryesor është të plotësojnë të gjitha nevojat e tyre.

Këto janë të gatshme të shmangin çdo vështirësi mjafton që fëmijët të jenë ashtu si duan ato.  Por ato nuk e kuptojnë se pasojat nga pikëpamja psikologjike mund të jenë shkatërruese. Një fëmijë i cili është i ndaluar të bëjë diçka, nuk i përjeton siç duhet të gjitha momentet e bukura dhe më pak të bukura që i sjell jeta.

Një nënë tepër protektive krijon tek fëmija iluzionin se bota është e mbushur plot me rreziqe dhe që ata nuk janë në gjendje t’i përballojnë ato.  Rezultati i këtij edukimi është që rriten fëmijë plot frikë, shpesh të pasigurt dhe me sulme paniku.  Nënat që kanë ndenjën e mbrojtes së theksuar tek fëmijët çdo lëvizje të tyre e përjetojnë si një traumë.