Kështu foli Lekë Dukagjini

Nga Nikollë LOKA

Hingëllinin kuajt
në livadhin
me gurë të vrarë,
një orë larg
u dëgjohej hingëllima,
nuk dihej
në ishte këngë apo vaj,
burrat dëgjonin,
zhytur thellë në mendime,
dhe bjeshkës dëgjohej një zë:
hej trimat e Lekë Dukagjinit!

Dymbëdhjetë dukagjinas,
në sofrën e gurtë
këmbëkryq po rrinin,
dhe verën e pinin me brirë,
po dymbëdhjetë jehona malesh,
prehje s’po gjenin.
Ulërinin ahet nga zemërimi,
e lëshonin copa degësh.
Leka priti me heshtje burri,
deri sa guri u sofrës
u mbush me copa ahu,
pastaj,
si bubullimë e lëshoi një zë:
Hej trimat e mij,
më mirë të vdesësh,
se të thahet krahu!

Kaq foli atë ditë Lekë Dukagjini,
e verë piu me brirë.
Fjala e tij
e vjetër gjashtëqind vjeçe,
që lindi në sofrën e gurtë,
malet i zgjon
nga një ëndërr e keqe.