NË KUJTIM TË MARTIRËVE TË RËNË NË STUDIME TË VUSHTRRISË

Fragment i fjalimit të z. Hysen Ibrahimi, marrë nga libri ”Thesar Kombëtar…” vëllimi nr. 9, i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi

I nderuar kryetar i Këshillit Organizativ, z. Avdyl Uka!

I nderuar përfaqësues i komunës së Vushtrrisë, prof. Izet Miftari!

I nderuar prof. dr. Mehmet Rukiqi!

I nderuar ish-kryetar i komunës së Mitrovicës, prof. Mursel Ibrahmi!

Të nderuar përfaqësues të shoqatave dhe ju të tjerë!

Të nderuar moderatorë:  Vjosa Bardhi e Qëndrim Uka!

Vushtrri, Studime, 20 korrik 2017

Sot, kur jemi duke e promovuar veprën “Thesar Kombëtar i Mërgatës Shqiptare në Suedi”, vëllimi 7 e 8, promovim ky  për t’i nderuar 116 martirët e rënë në fshatin Studime për pavarësinë e Kosovës e që përulem para tyre. Ne, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi, kemi marrë detyrë të shkruajmë për viktimat e terrorit serbo-sllav, jo për t’u hakmarrë, por për të mos i harruar dhe në të njëjtën kohë për të thirrur mendjet e ndritura të kombit shqiptar: është koha të dalin e ta thonë fjalën e tyre.

Po nisem nga një fjalë e urtë:  Nuk e kthen dot orën mbrapa për të ndrequr gabimet e të kaluarës, por ta përcjellim orën duke mos gabuar për të ardhmen”.

Është koha që ne, shqiptarët, të shkruajmë të vërtetën e hidhur mbi masakrat e llahtarshme që kanë ndodhur e po frikësohemi se mos po i harrojmë. Këtë e do Serbia dhe dëshmitarë të gjallë janë duke vdekur për çdo ditë e bashkë me vdekjen po shkojnë edhe dëshmitë. Këtë e do Serbia dhe i shkon për shtati që  dëshmitarë të tillë as të mos ekzistojnë. Ndaj, ne kemi ardhur për të mos i harruar dhe për të shkruar e për ta njoftuar edhe popullin mik suedez, gjeneratat e ardhshme, për të vërtetën e hidhur të 2 majit 1999 në fshatin Studime.

Duke u nisur nga parimi se: ”Historia nuk fal heshtjen e krijuesve në mbrojtje të kulturës, traditës e historiografisë shqiptare”, ne do t’i intervistojmë të gjithë ata dëshmitarë të gjallë që duan të japin të dhëna për ngjarjen e kobshme të 2 majit 1999, që ndodhi e që e përjetuan para syve të tyre, nën ethet e likuidimit, duke i botuar në librat tanë. Familjarët e të rënëve duhet të marrin guximin e ta thonë se si u vranë më të afërmit e tyre, sepse një ditë këta të rënë do t’i mallkojnë edhe nga varri për mosdeklarimet e tyre për të vërtetën. Ne do t’ju dëgjojmë ju me vëmendje, sepse zëri  juaj na ka ftuar këtu.

“Ka vetëm dy gabime që njeriu mund të bëjë rrugës drejt të vërtetës: të mos shkojë deri në fund dhe të mos niset fare”.

Jo, ne mendojmë se duhet të shkohet deri në fund dhe të nisemi menjëherë, duke mos i kursyer barbarët sllavë për masakrat e tyre mbi popullatën shqiptare civile të pafajshme dhe të paarmatosur. Ata, jo që nuk po kërkojnë falje, por me gënjeshtrat e tyre e me paaftësinë e politikës shqiptare, duan të na bëjnë edhe fajtorë, se për të barabartë na kanë bërë. Por, kjo nuk do të ndodhë në qoftë se populli e ngre zërin duke i shkruar dhe botuar të vërtetat e ndodhura.

Të nderuar familjarë të martirëve të rënë për pavarësinë e Republikës së Kosovës! Ne ju premtojmë se do të shkruajmë dhe do ta njoftojmë popullin mik suedez dhe qarqet e tjera ndërkombëtare, përmes botimeve tona, vetëm atëherë kur ju do të thoni të vërtetën, atë se çfarë keni parë me sy, keni përjetuar me shpirt dhe vuajtjet tuaja, qe 18 vite me radhë, pa pasur përkujdesjen tuaj të merituar shtetërore të Kosovës. Kjo na ka brengosur ne mërgimtarëve.

”Koha nuk ndryshon popujt, por koha zbulon popujt se kush janë në realitet”. Tani ose kurrë e dimë se kush është Serbia. Sa ma pak punë të kemi me këtë popull, aq më mirë i kemi punët. E mira do të ishte që të mos kemi punë fare me këtë barbar sllav. Kurse, vetes t’i bëjmë kritika se si po udhëheqim dhe si po e ndërtojm këtë shtëpi të përbashkët. Nuk do të kisha dashur ta them këtë fjalë të urtë e që është:  ”Sot, i katandisur, eci i vetmuar rrugës, kur para lufte ecnim bashkë në atë rrugë”. Koha është për unitetin tonë.

Krejt në fund, Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani” në Suedi dhe në emrin tim personal, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurve tuaj. Ftojmë institucionet shtetërore të Kosovës e Shqipërisë për të ngritur zërin për zbardhjen e fatit e mbi 2000 të zhdukurve shqiptarë e po ashtu për vrasjen e 116 civilëve shqiptarë në Studime e më gjerë, që kriminelët serbo-sllavë të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë ndërkombëtare për të marrë denimin e merituar.

Do ta përfundoj me disa thënie të urta:

”Shenjtëria e bashkimi shqiptar është përkushtimi, puna dhe besnikëria ndaj tij”.

”Bashkimi i shenjtë bashkon atdhetarët”

”Ke punuar për kombin, kombi do të të gjej ty”

”Kombi është rruga, adresa dhe busulla jonë e vetme e përbashkët, Kosovë, Shqipëri e Mërgatë”

Shfrytëzoj rastin ta falënderoj përzemërsisht komunën e Vushtrrisë, më konkretisht, kryetarin e komunës, prof. Bajram Mulakun për mbështetjen e tij, i cili mbuloi shpenzimet për pastrimin e varrezave në vendin ku është mbajtur përurimi i Thesarit (varrezat), pastaj, koktejin dhe drekën tradicionale shqiptare, për të pranishmit të cilët morën pjesë në këtë përurim të një rëndësie të veçantë.

Zoti i bekoftë të gjithë martirët e fshatit Studime dhe të Kosovës!

Zoti e bekoftë popullin Shqiptar kudo që ndodhet!

Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!

Zoti i bekoftë shtetet Perëndimore të Evropës!