Receta e ditës/ Mollë të pjekura me verë të bardhë

Përbërësit:

4 kokrra mollë

40 gr boronicë të tharë

1 lgj stafidhe të verdha

40 gr bajame

60 gr sheqer Teuta

50 gr gjalpë

200 ml verë të bardhë

1 lç kanellë

sheqer pluhur Teuta

Përgatitja:

Vendosim tiganin në zjarr dhe pasi tigani të ngrohet hedhim në të ½ e sheqerit (30 gr). E lëmë sheqerin të karamelizohet, shtojmë në të gjalpin, verën e bardhë, stafidhet, boronicat (në mungesë mund të jetë dhe reçel) dhe bajamet të copëtuara ose në feta dhe i lëmë të ziejnë për pak minuta.

Ndërkohë mollëve të lara dhe të thara i rregullojmë nivelin që të qëndrojnë drejt. Presim ¼ e mollës nga lart dhe e lëmë si kapak, më pas me ndihmën e një luge gërryejmë tulin e mollës duke lënë muret anësore të mollës 1 cm.

Largojmë tiganin nga zjarri dhe mbushim hapësirat e mollëve me stafidhet dhe bajamet e karamelizuara.

Vendosim një tigan tjetër në zjarr dhe hedhim sheqerin e mbetur, e karamelizojmë sheqerin duke mos e errësuar shumë. Me sheqerin e karamelizuar spërkasim tulin e mollës rreth mbushjes. Hedhim pak verë në fundin e tavës ku kemi vendosur mollët dhe i vendosim në furrë në temperaturën 160 gradë Celsius për 20 minuta.

I servirim mollët e mbushura duke i spërkatur në fund me pak kanellë dhe sheqer pluhur.

Ju bëftë mirë!