Receta e ditës/ Peshk në furrë me borzilok dhe djathë

Përbërësit për 4 persona:

4 levrekë ose peshk tjetër sipas dëshirës

bukë e thekur e grirë

djathë Parmigiano i grirë

kripë-piper sipas nevojës

borzilok

pomodorini (domate qershi)

vaj ulliri dhe hudhër

Përgatitja:

Ndezim furrën me 180°C. Në një tigan. ngrohim 2-3 lugë vaj ulliri me një thelb hudhër. Sapo vaji të jetë nxehur, shtojmë domatet të ndara në mes dhe i skuqim dhe këto për 2-3 minuta me flakë të lartë. I kriposim dhe i lëmë mënjanë. Në një tas përziejmë djathin e grirë, bukën e thekur të grirë duke pasur parasysh që për dy lugë bukë të thekur do të hedhim 1 lugë djathë të grirë.

Shtojmë borzilok të freskët të copëtuar me dorë, 2-3 lugë vaj ulliri dhe i përziejmë mirë me dorë. Mbulojmë me to filetat e peshkut, të cilat i kemi vënë në tavë të lyer me vaj ulliri ose me letër furre dhe i kemi rregulluar më parë për kripë e piper.

I pjekim në furrë për 30/35 minuta ose derisa të kenë marrë ngjyrë. I shërbejmë të vakëta me domatet e skuqura.

Ju bëftë mirë !