SIKUR ZOTI TË MË FALTE VETËM PAKËZ JETË

Nga GABRIEL GARSIA MARKEZ

Sikur të harronte Zoti për një çast se jam kukull prej lecke e sikur të më jepte një çikëz jetë, nuk do të thosha ndoshta gjithçka mendoj, por do të mendoja për çdo gjë që them.
Do ti vlerësoja gjërat jo për hir të vlerës të tyre, por për atë çka duan të thonë.
Do të flija më pak, do të ëndërroja më shumë, pasi kam kuptuar se në çdo minutë që mbyllim sytë, humbasim gjashtëdhjetë sekonda dritë.
Do të ecja kur të tjerët stepen, do të zgjohesha kur të tjerët flenë, do të dëgjoja kur të tjerët flasin. Pale pastaj si do ta shijoja një akullore me çokollatë!
Sikur Zoti të më falte pakëz jetë, do të vishesha thjeshtë, do të zhytesha me kokë në diell dhe nuk do të zhvishja vetëm trupin, por edhe shpirtin.
Oh, Zot, sikur të kisha një zemër, do ta shkruaja urrejtjen në akull dhe do të prisja të shfaqej dielli. Me një ëndërr të Van Goghut do të pikturoja mbi yje një poemë të Benedettit, ndërsa hënës do t`i shpalosja për serenatë një këngë të Serratit. Do t`i ujisja trëndafilët me lotët e mi, që të ndjeja dhimbjen e gjëmbave dhe puthjen e kuqe të petaleve të tyre.
Imzot, po të kisha një çikëz jetë, s`do lija ditë të shkonte pa u thënë njerëzve që dua se i dua. Do ta bindja çdo grua e çdo burrë se ata kam për zemër dhe do të rroja i dashuruar me dashurinë. Do t`u rrefeja njerëzve ç`gabim të madh bëjnë tek pandehin se s`janë më të dashuruar kur thyhen në moshë, sepse ata nuk e dinë se pikërisht kur s`janë më të dashuruar, atëherë thyhen në moshë!
Do t`i jepja fletë fëmijës, por do ta lija ta mësonte fluturimin vetë.
Të moshuarve do t`u mësoja se vdekja nuk vjen me moshën e shtyrë, por me harresën. Kaq gjë e mësova nga ju, o njerëz.
Mësova se gjithkush dëshiron të jetojë në majë të malit, pa e ditur se lumturia e vërtetë jane pragjet dhe brigjet e tij.
Mësova se, kur foshnja shtrëngon me grushtin e vet të njomë gishtin e të atit, e ka bërë për vete përgjithmonë.
Mësova se njeriu ka të drejtë ta shikojë tjetrin nga lart poshtë, vetëm atëherë kur tjetri ka nevojë të ngrihet në këmbë.
Mësova kaq e kaq gjëra nga ju, por e vërteta është që s`më bëjnë shumë dobi, sepse, kur t`i kem futur në këtë valixhe, do të jem duke vdekur.

Shqipëroi: Ardian Klosi, botuar së pari në “Dy Drina”, nr. 1, 1998. Kukës.