Miqtë e paktë m’u gjendën pranë si dorë Zoti dhe fituan mirënjohjen time të përjetshme

Faleminderit Kryetar i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu !

Miq, sot fillova punë në Bashkinë Kukës, në qytetin tim, në Kukësin e famshëm të mikëpritjes e besës, në qytetin e vetëm të botës kandidat për Çmimin Nobel për Paqen, në qytetin e njerëzve të mëdhej.

4 vjet isha i përjashtuar nga shteti, nuk isha hisenik apo hisetar në shtet, nuk isha aksioner në shtet sepse shtetin e pushtuan vemje të pështira si Edmond Panariti, ish ministri i bujqësisë i vitit 2013, sëmundje kanceroze që shtetin e dinë dhe trajtojnë si pronë të zonës së parë operative…

4 vjet nuk firmosa në berdoro se isha i linçuar nga pushteti. Më nxori në rrugë të madhe Edmond Panariti, ai i drejti si gjarpëri nën gurë, ai i ndershmi sa lavirja më e pështirë. Edhe pse isha nëpunës civil në Ministri të Bujqësisë me vlerësime maksimale, edhe pse isha invalid dhe një invalid nuk nxirret në rrugë të madhe, por një pushtetar njeri e merr nga rruga dhe e sistemon invalidin, edhe pse isha autor i 12 librave që Panariti ende nuk i ka lexuar në jetën e vet 12 tituj artistik.

U kënaq kush deshi, u dëshpërua kush mundi me mua. Natyrisht mbijetova. Nuk vdiqa. Edhe pse nuk u cel asnjë derë shteti ku trokita për punë dhe nuk trokita pak…

Pak njerëz, nuk bëhen as sa gishtat e një dore ata njerëz që të pyesin në kushte të tilla, etj. mik, a ke bukë, a ke hall…

Unë qëllova me fat, me shumë fat se m’u gjenden miq të paktë, por të jashtezakonshëm gjatë këtyre 4 viteve kur u përbuza nga pushtuesit e shtetit e pushtetit qëndror. Sidomos në raste fatkqësie miqtë e paktë mu gjenden pranë si dorë zoti dhe fituan mirënjohjen time të përjetshme.

Kush ka provuar linçmin, përbuzjen nga shteti, mosfirmosjen në bordero me kupton drejt.

Kryetari i Kukësit Bashkim Shehu më thirri në punë si këshilltar të tij dhe unë pranova se mu duk se po kthehem në shtet për inat të ish ministrit Panariti që me gjithë qënien e tij flliq mbiemrin e vet.

Pranova të punësohem në Bashkinë Kukës me besimin se mund të bëj ndonjë gjë të vogël por me dashuri të madhe për qytetin tim, me të cilin ndjehem shumë krenar, po shumë fare krenar.

 

Nga Rexhep SHAHU

 

Mars, 2018