MBRETËRESHA SUZAN CULLEN-WARD ZOGU E SHQIPTARËVE U NDERUA ME ÇMIMIN “MBRETËRESHA TEUTA”

Këto ditë në Muzeun Historik në Tiranë, Akademia Monarkiste Shqiptare organizoi veprimtarinë “Akademia e Çmimeve”, ku u ndanë çmimet “Mbretëresha Teuta”, “Justiniani i Madh”, Konstandini i Madh”, “Niket Dardani” e “Lekë Dukagjini” për personalitete të shkencës, monarkisë, diplomacisë, historisë, politikës, arsimit e kulturës si dhe për institucione të arsimit, etj.

Me Çmimin “Mbretëresha Teuta” u nderua Mbretëresha Suzan Cullen-Ward ZOGU e Shqiptarëve, me Vendimin nr. 16, dt. 17 shkurt 2017, me këtë Motivacion:  “Për kontributet e çmuara të Madhërisë së Saj – me origjinë irlandeze e lidhje gjaku me Mbretin Eduard të Anglisë, në forcimin e marrëdhënieve të mira mes Shqipërisë e Australisë (vendlindjes së saj, më 1941) si dhe me SHBA me anë të “Fondacionit Kulturor për të Ardhmen e Shqipërisë në SHBA”; në promovimin e historisë e kulturës dhe të marrëdhënieve të mira të Shqipërisë e të Kosovës me vendet monarkiste në botë”.

Në emër të Akademisë Monarkiste Shqiptare, ky Cmim i Madh, iu dorëzua nga prof. dr. Mixhait Reci – president i Universitetit Mbretëror “Iliria” në Prishtinë.

 Në emër të Oborrit Mbretëror Shqiptar, këtë Cmim të lartë, e mori përfaqësuesi i Tij në këtë event solemn, mbretërori e legalisti i njohur Beniamin Bakalli, njëherash botuesi i gazetës “Atdheu”(online).