Ndryshe nga ç’paralajmëruan pak ditë më parë, drejtuesit politikë të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk e anuluan pjesëmarrjen e tyre në samitin mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bruksel më 23 qershor.
“Biseduam gjatë më liderët e Serbisë dhe të Maqedonisë së Veriu rreth samitit të ardhshëm. Duket se në fund të tij do të dëgjojmë një tjetër përgjigje: ‘Jo, na vjen keq!’ Bullgaria që merr peng të gjithë Unionin nuk është ndonjë spektakël për t’u parë! Çfarë të bëjmë atje?!”
Me këtë status në Twitter, kryeministri shqiptar Rama mbase tentoi të parapërgatiste shqiptarët për një tjetër “JO” nga Bashkimi Evropian, në lidhje me procesin e zgjerimit dhe anëtarësimin e saj në BE. Një ditë më pas, ai konfirmoi vajtjen në këtë samit, duke e lidhur këtë ndryshim kursi me idenë që presidenti francez Macron hodhi më 9 maj të këtij viti, kur foli për një “Komunitet politik evropian”, komunitet që do të shërbejë si “paradhomë” për shtetet që presin në radhë për t’iu bashkuar “dhomës së madhe” të BE-së. Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri Rama, presidenti serb Vuçic dhe kryeministri maqedonas Kovaçevski, në unison deklaruan se e pranonin ofertën franceze.
Ballkani Perëndimor rebelohet ndaj BE
Pas më shumë se pesë orë bisedimesh mes krerëve më të lartë të Bashkimit Evropian, me liderët e Ballkanit Perëndimor, konferenca e planifikuar për shtyp e presidentit të Këshillit të BE, Charles Michel me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe presidenten e Komisionit të BE, Ursula von der Leyen u anulua zyrtarisht për shkaqe kohore.