Gruri është bërë shumë më i shtrenjtë pas fillimit të luftës në Ukrainë. Si krijohet çmimi i grurit dhe çfarë lidhje kanë bursat me të?

Për shumë vite, çmimi i një ton grurë lëvizte rreth 200 euro. Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, ai është dyfishuar në rreth 400 euro. Ky dyfishim është një shok, veçanërisht për njerëzit në vendet më të varfra, të cilët shpenzojnë një pjesë të madhe të të ardhurave për ushqim.

Vetëm rreth një e katërta e të korrave globale të grurit prej 785 milionë tonësh del në tregun ndërkombëtar. Deri tani pjesa më e madhe shitet, përpunohet dhe hahet (p.sh. në formën e bukës) në vendet ku prodhohet. Çmimet dhe cilësia mund të ndryshojnë shumë në varësi të rajonit.

Bursat e mëdha

Getreide Mehl, Symbolbild

Megjithatë, kur bëhet fjalë për grurin, zakonisht flitet për një çmim të tregut botëror që krijohet në bursa të veçanta. “Ne kemi dy bursa të mëdha në botë – CBOT (Chicago Board of Trade) në Çikago dhe Euronext në Paris”, thotë Wolfgang Sabel, drejtor menaxhues i Kaack Terminhandel në Cloppenburg, një ofrues shërbimi i specializuar në tregtimin e produkteve bujqësore.

“Këto bursa janë në thelb barometri i çmimeve nën mbikëqyrjen e shtetit. Ato janë të rregulluara dhe punojnë me standarde dhe parime të përcaktuara. Vetëm oferta dhe kërkesa vendosin për çmimin.”