Shkruan: Florim Zeqa         10.06.2022

Idea e Ballkanisë është ide e vjetër e Serbisë e cila për qëllim e ka bashkimin e serbëve ne një hapësirë gjeografike dhe shtrirjën e ndikimit të saj gjeopolitik në Ballkanin Perëndimor. Ideja serbe e Ballkanisë u përhap në kohën e Dimitrie Tucoviqit dhe u vazhdua edhe në kohën e Jugosllavisë Titoiste të pasluftës së dytë botërore.

Ballkania ide e vjetër serbo-ruse

Mirëpo, për fatin e mirë të shqiptarëve të Kosovës, mospranimi i futjes nën ndikimin rus të ish lidershipit të shtetit jugosllav, tandemit Tito-Kardel, të cilët i refuzuan idetë staliniste për kooperativizimin e shtetit që drejtonin.

Kësisoji me largimin e ndikimit rus në Ballkan, në një mënyrë u neutralizua edhe ideja serbomadhe për Ballkaninë, gjë e cila shkoi në favorin e shqiptarëve në Ballkan, e në veçanti të shqiptarëve të Kosovës.

Pas refuzimit të ndikimit rus dhe hapjen e Jugosllavisë ndaj Perëndimit, Kosova dhe shqiptaret arritën prosperitetin më të madh në historinë e pushtimeve të gjata, duke u forcuar ekonomikisht dhe duke u avancuar juridiksht pas ndryshimeve Kushtetuese të vitit 1974, të cilat në masë të madhe e përafruan Kosovën me republikat tjera në ish federatën jugoosllave.

Dështimi i dytë i Ballkanisë

Aktualizimi i idesë serbe për Ballkaninë, ndodhi në periudhën e dytë të viteve të ’90-ta, saktësisht më 13.03.1997, përmes projektit të ‘simbollit të rezistencës’, Adem Demaçi i cili e hartoi planin 15 pikësh për Ballkaninë, si lidhje e tri shteteve: Kosovë, Mali të Zi dhe Serbisë.

Ishte kjo përpjekja e fundit e Serbisë në parandalimin e projektit të shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi të plotë.

Mirëpo, për fatin e mirë të shqiptarëve të Kosovës, ky projekt jo vetëm që nuk u përkrah nga shumica e shqiptarëve, nuk u përkrahë as nga grupet e vogla të cilat ishin kundër projektit rugovian për pavarësinë e Kosovës.

Dështimi i projektit serb për krijesën e re të quajtur Ballkania, e përshpejtoi edhe fillimin e luftës në Kosovë.

Se sa serioz ishte asokohe plani i Serbisë për Ballkaninë, po e ilustroj me një shëmbull të thjeshtë dhe praktik. Në këtë periudhë kohore, ne shqiptarëve (mërgimtarëve) të Kosovës me pasaporta të ish Jugosllavisë, shteti italian na trajtonte si shtetas të Serbisë dhe Malit të Zi, duke na e vendosur në leje të qëndrimit (Permesso di Soggiorno), letërnjoftim dhe në kodin fiskal siglën “Serbia e Montenegro”!

Dështimi i tretë i Ballkansë, fitore e të gjithë shqiptarëve

Ideja e Ballkanit të Hapur (Ballkanisë), e filluar si “Mini-Shëngeni” i Ballkanit Perëndimorë në tetorin e vitit 2019, mes Aleksandër Vuçiqit, Zoran Zaevit dhe Edi Ramës, ësht pak më shumë sesa e ideja e Ballkanisë e inicuar nga Adem Demaçi në fillim të vitit 1997, pra, është më e zgjeruar në përmbajtje dhe më e sofistikuar si koncept politik politik.

“Open Ballkan” është nismë e Rusisë dhe Serbisë, e cila për qëllim fillestar ka shtrirjen e dominimit rus në Ballkan dhe gllabërimin e trojeve shqiptare nga Serbia si qëllim final.

“Open Ballkan” pa njohjen e Kosovës nga Serbia, pa u lëshuar në detaje të secilit aspekt veç e veç, do të jetë vdekjeprurës për pavarësinë e shtetit tonë.

Meqë është kështu, shtrohet pyetja logjike, pse ne shqiptarët duhet të nënshkruajmë aktin më shkatërrimtar të shtetit me dorën tonë?!

Përderisa ideatorët e Ballkanit të Hapur (Ballkanisë) bëjnë thirrje për anëtarësim të Kosovës dhe deklarohen për trajtimin e barabartë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, është pikërisht Kosova ajo që nuk është e barabartë në këtë nismë pa përmbylljen e shtetësisë së saj, përkatësisht pa njohjen nga Serbia, pa heqjen e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe pa pranim si shtet sovran në OKB.

Përderisa të figurojë në Kushtetutën e Serbisë si pjesë integrale e saj dhe derisa të jetë në fuqi Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, Kosovës jo vetëm që nuk i bën mirë anëtarësimi në Ballkanin e Hapur (Ballkania), ajo do ta humbë kontrollin mbi territorin dhe do ta rrezikon seriozisht shtetësinë e saj. Ndryshe, dështimi i tretë i Ballkanisë (Open Ballkan) do të ishte fitore e të gjithë shqiptarëve.