Nga Ramiz LUSHAJ
101 vjeçari Haxhi Beqë Syla nga Shishmani i Gjakovës, tashti me banim edhe në lagjen “Dardani” (Piskot) të qytetit të Gjakovës, veteran e invalid i Luftës së Dytë Botërore, specialist i shquar i lapsit të ekonomistit financiar, me një familje atdhetare e me kontribute për Lirinë, Pavarësinë e Shtetësinë e Kosovës, i Ftuar i Nderit më i moshuari, e përshendeti me nji Fjalë të shkurtër “Takimin e Madh të Prishtinës”.
Veterani Haxhi Beqë Sylaj, që ka muajin e dytë kalendarik të 101 vjeçarit, erdhi nga qyteti i Gjakovës për të marrë pjesë në “Takimi i Madh i Prishtinës”, 13 maj 2022, i shoqëruar nga Ahmet Krasniqi (shih në foto)– miku i tij i afërt, pothuaj përditor në kafet e mëngjezit e rrugët e Gjakovës, në shtëpijat e tyre, në veprimtari të ndryshme, si dhe, gjithashtu, ishte në përkujdesjetë Halil Ahmetit– drejtor i “Gazeta e Alpeve” për Kosovën, me të cilin takohen shpesh dhe rrijnë bukur shumë së bashkut.
Veterani i Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Beqë Syla, ishte luftëtar pjesmarrës deri në “Frontin e Sremit”, ku dhe mbeti i plagosur përjetësisht nga një shtangie-mbërdhirje muskuli në dorën e djathtë prej ngricave të dimrit të acartë të vitit 1945.
101 vjeçari Haxhi Beqë Syla është lexuesi më i moshuar i “Gazeta e Alpeve”, prej tre vitesh i abonuar i saj. Njiherit, merr pjesë edhe në veprimtari të “Gazeta e Alpeve” si në “TakimiPanShqiptar i Gjakovës” (24 qershor 2019) dhe në “Takimi iMadh i Prishtinës”–Takim PanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik (13 Maj 2022).
101 vjeçari Haxhi Beqë Sylaj e ka një bibliotekë të vogël në shtëpijat e tij, lexon pothuaj çdo ditë libra, disa sish dhe pa syze. I lexon pothuaj çdo ditë deri në 70-80 apo dhe 100 faqe libri dhe në kuvendime odash apo tavolina kafeje flet për përmbajtjen e tyre, etj. Ai, gjatë jetës së tij, nga rinia nëpër luftëra e deri tek pleqëria në paqe shtet ndërtimi të Kosovës, i ka (ri)lexuar Fishtën (me “Lahuta e Malcisë” e “Mrizi i Zanave”etj.), “Lulet e verës” të Naim Frashërit e plot vepra të Vëllezërve Frashëri, Asdrenin, Çajupin, si dhe Nolin e Konicën…e deri tek veprat më të reja të Jusuf Buxhovit si vepra disa vëllimshe“Kosova” apo vepra e Adem Lushajt “Krimet Serbe në Kosovë. Rasti i Deçanit” (këto dy vepra të Buxhovit e Lushajt të sponsorizuara e botuara nga humanisti e botuesi shqiptaro-amerikan Ramiz Tafilaj i Kosovës e Teksasit në Amerikë)
Veterani Haxhi Beqë Syla, gjatë vitit të kaluar (2021) e ka lexuar dy herë librin e Presidentit Amerikan Joe Biden me titull “Premtomë, baba” (“New York Times Bestseller”), i botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Pema” në Kosovë, më 2020.
I kam shkue për vizitë në shtëpinë e tij në Gjakovë, vet i dyti-bashkë me Halil Ahmetin, duke mbetë me vlerësime e kujtime të mira, duke ikë me dëshirën për t’u kthyer prapë aty në banesën e Haxhi Beqë Sylajt të Gjakovës.
Veterani e invalidi i Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Beqë Sylaj, është një mjeshtër i mirë në përdorimin e çiftelisë, sidomos me sinkopa – lojë gishtash mbi perdet e instrumentit popullor, sikur të ishte Artisti i Popullit, i ndjeri Ndue Shyti i Pukës, ku të preferuarit e tij janë artistët e mërmëdhenj MaxhunFazlia, Dervish Shaqa, Demush Neziri, Lan Dobra e të tjerë. Ai është dhe një këngëtar i mirë, ka kënduar gjithë jetën e tij për vete e për të tjerët, gjithëherë e gjithkund, sidomos i kishte ma për qejf disa kangë si “Kënga e Halil Gashit” që kujton se po e këndon me të vertëtë artisti i mirënjohur Maxhun Faslia i Kosovës dardane.
Veteranit e invalidit të Luftës së Dytë Botërore, Haxhi Beqë Sylaj, ikonë historie e lavdie nëpër kohëra të vështira, simbol jetëgjatësie shqiptare, i talentuar në lapsin e ekonomistit financiar, fort i dhanun pas leximit të librave e shtypit, mik i mirë i “Gazeta e Alpeve”, abonues e lexues i çmuar dhe i përhershëm i saj, pjesmarrës në veprimtari të saj në Gjakovë e Prishtinë, i urojmë të ketë shëndet të plotë e jetë të gjatë për të ardhë dhe në “Kuvendi i Madh i Alpeve” në Tiranë, me 17 të Nëntorit 2022.
Tiranë, Maj 2022
__________
Teksti i fotove ilustruese të shkrimit:
1.- Veterani e invalidi i LDB, Haxhi Beqë Sylaj nga Gjakova, duke e përshendetur “Takimin e Madh të Prishtinës”– TakimPanShqiptar-NdërBallkanik-EuroAtlantik të 13 Majit 2022. (Në sfond, i shoqëruar nga miku i tij i afërt, Ahmet Krasniqi i Gjakovës).
2.- 100 vjeçari Haxhi Beqë Syla në “Takimi PanShqiptar i Gjakovës”, 24 qershor 2021, në Pallatin e Kulturës “AsimVokshi” të Gjakovës.
3.- Veterani Haxhi Beqë Syla me vepren madhore disa vëllimshe “Kosova” të Jusuf Buxhovit dhe me “Gazeta e Alpeve” e botime të tjera.
4.- Veterani Haxhi Beqë Syla duke e lexuar librin e Presidentit Amerikan Joe Biden me titull “Premtomë, baba” (“New York Times Bestseller”), i botuar në shqip nga Shtëpia Botuese “Pema” në Kosovë, më 2020. (Foto nga Halil Ahmeti. Qershor 2021).