Shkruan: Florim Zeqa 22.05.2022
Futja eventuale e Kosovës në “Ballkanin e Hapur” apo Jugosllavinë e Re pa pranim në BE dhe OKB, KE dhe organizata tjera ndërkombëtare i jepë fund pavarësisë së Kosovës. Ndryshe, mospërfshirja në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Evropës në Torino të Italisë, i vërtetoi shqetësimet e mia të ngritura në shkrimin paraprak “Kosova mes shpreses dhe zhgënjimit”.
Ne duaje Evropën, ajo po e shpërblen Serbinë
Deklaratat e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel rrethë Ballkanit të Hapur jo vetëm që janë shqetësuese, janë të rrezikshme për Kosovën. Këto janë tendenca të hapura për ta krijuar një Jugosllavi të Re në Ballkan, por akoma më të zgjeruar (me Shqipërinë brenda).
Pas mbledhjes së 20 qershorit të Këshillit të Evropës në Torino të Italisë, kërkesa e 12 qershorit e Kosovës për pranim në këtë organizatë, për të mos thënë iluzion, mbetet vetëm një aspiratë!
Sadoqë ne shqiptarët po mundohemi të tregohemi se jemi populli më pro-evropian në Ballkan, aq më tepër Evropa po e shpërblen Serbinë! Sadoqë që institucionet e shtetit tonë po përmbushin rregulla të parashtruara nga BE-ja, kjo e fundit aq më shumë po e ofron Serbinë në gjirin e saj!
Në Torino nuk u shqyrtua aplikacioni i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës
Siq dihet më 12 maj 2022, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka dorëzuar zyrtarisht aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës me seli në Strasburg.
Të njëjtën ditë nga Këshilli i Evropës konfirmuan se e kanë pranuar aplikacionin e Kosovës për anëtarësim dhe i njëjti është transmetuar te Komiteti i Ministrave.
Pas mospërfshirjes në agjendën e mbledhjes së Këshillit të Evropës në Torino të Italisë, Kosova duhet të presë që aplikacioni për anëtarësim në Këshillin e Evropës të shqyrtohet tek në majin e vitit të ardhshëm.
Seanca e radhës, e 133-ta më radhë e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian do të mbahet në kryeqytetin e Islandës në Rejkjavik në maj të vitit 2023!
Deria atëherë, kërkesa e Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës jo vetëm që do të mbetet në sirtar, mund të prolongohet në pafundësi me justifikime të zakonshme të zyrtarëve evropian, siq janë ato për mospërmbushje të obligimeve ndërkombëtare ndaj marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013, përkatësisht të vitit 2015, në të cilat i vunë nënshkrimet e tyre ish kryeminstrat e Kosovës!
Për më keq se kaq, marrëveshja e parë (AKS) e 19 korrikut 2013 është edhe e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës!
Ndryshe, evidentimi i shkeljes së 23 neneve të Kushtetutes nga kushtetuesja në marrëveshjen e dytë të 25 gushtit 2015 nuk e zhbën marrëveshjen e parë të ratifikuar në Kuvend!
Gabimet e së kaluarës, barrë e legjislaturës aktuale dhe atyre në ardhje
Sadoqë opozita po mundohet t’iu ikë përgjegjësive për gabimet dhe dëmet e shkaktura ndaj shtetit dhe qytetarëve, ajo është e pamundur! Ratifikimi i marrëveshjes ndërkombëtare të 19 korrikut 2013 në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ratifikimi i Gjykatës Speciale të Hagës dhe ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi janë tri gabimet më të rënda dhe të pakthyeshme të legjislaturave të kaluara, gjegjësisht të opozitës aktuale, të cilat janë të pariparueshme dhe më pasoja afatëgjata për Kosovën.
Penalizimi i Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare nuk po ndodhë krejt pa fajin tonë! Lëshimet dhe gabimet e njëpasnjëshme të klasës politike i shfrytëzoi në maksimum armiku ynë shekullor (Serbia) me avancim politik në arenën ndërkombëtare dhe agresion të vazhdueshëm politik ndaj shtetit të Kosovës.
Bashkësia ndërkombëtare, në veçanti BE-ja, në vend që të ushtrojë presion dhe ta kushtëzojë Serbinë për pagimin e dëmeve të luftës në Kosovë, ajo po e bën të kundërtën duke i kushtëzuar kosovarët për liberalizim të vizave. Në vend që ta ndëshkojë Serbinë për gjenocidin e kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë, po e ndëshkon Kosovën me mospranim në organizatat ndërkombëtare!