Shkruan: Florim Zeqa         08.05.2022

Tanimë, kur partitë e deridjeshme në pushtet janë në opozitë dhe shumica e liderëve partiak (për shkaqe të njohura) nuk janë më në krye të partive, sikur i kemi harruar mëkatet e tyre dhe me (pa) të drejtë shigjetat i kemi drejtuar vetëm nga Albin Kurti!

Pse?

Sepse, Albin Kurti edhi në pushtet me premtime të mëdha elektorale dhe me premtimin bazik kundër dialogut pa njohje paraprake nga Serbia!

Por çfarë ndodhi? Albin Kurti hyri në dialog me Serbinë pa kushtin e njohjes reciproke, pa kërkimfalje dhe pa dëmshpërblim nga Serbia, pa zbardhjen e fatit të të pagjeturve si dhe pa zbatimin e marrëveshjeve paraprake nga ana e shtetit serb!

Jam i bindur se, kreyeministrit Albin Kurti nuk i pëlqen të flas për obligimet ndërkombëtare të Kosovës! Për të mos thënë e pamundur, do ta ketë tepër të vështirë t’i ikë çështjes së Asociacionit (Zajednicës) në dialogun e Brukselit!

Sikurse që do ta ketë të pamundur ta kthejë pas Demarkacionin me Malin e Zi dhe Maqedoninë, ku në të dyja rastet së bashku, Kosova u tkurr për rreth 12 mijë hektarë, nuk do të mund ta kthejë pas as çështjen e Asociacionit në dialogun me Serbinë!

Dallim në kohë, por jo edhe në përmbajtje!

Ky nuk është dialog i ri siq e quante në të kaluarën Albin Kurti, por është ky i njëjti dialog që ai  si opozitarë e kundërshtonte me të gjitha mjetet demokratike dhe jo vetëm. Dallojnë vetëm ndërmjetësuesit e këtij dialogu dhe ky si negociator i ri!

Pra, dialogu po mbahet në të njëjtin vend (Bruksel), me të njëjtin Vuçiq dhe me të njëjtën Serbi me të cilën dialoguan Thaçi, Mustafa e Hoti. Tani po dialogon edhe kryeministri Kurti për të njëjtat tema që (s) janë pajtuar kryeministrat paraprakë!

Siq dihet, Albin Kurti si opozitarë e ka kundërshtuar çdo marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën, filluar nga ajo e Rambujesë nga e cila u ndëshkua Serbia me bombardimet e NATO-s, e ka kundërshtuar ‘Pakon e Ahtisarit’ mbi të cilën u shpallë pavarësia e Kosovës.

Me një fjalë, si opozitarë ka kundërshtuar dhe ka protestuar për gjithçka dhe çdo gjë, për të cilat, sot si kryeministër i vendit po i zbaton në plotni!

Pas ardhjes në pushtet Albin Kurti nuk po flet më për enklavat serbe, për Manastirin e Deçanit, për Demarkacionin, për Gjykatën Speciale, për simbolet shtetërore, për të cilat jo vetëm që po hesht, po i qëndron gatitu himnit pa tekst dhe flamurit lara-lara, siq e quante në të kaluarën flamurin e shtetit që e drejton!

Janë këto dhe shumë qëndrime të tjera nga të cilat është larguar aq shumë kryeministri Kurti, saqë njerëzit me të drejtë kanë filluar të pyesin; a është ky i njëjti Albin!?

Nënat nuk harrojnë…

Nuk është hera e parë që drejtuesit shtetërorë të Kosovës ulen në një tavolinë (për të ngrënë dreka dhe darka) me përfqësuesit e shtetit (serbë) që ka kryer krime dhe gjenocid ndaj popullit të tyre.

Darka e kryeministrit tonë me Aleksandër Vuçiqin do të ishte normale dhe nuk do të ishte kontestuar nga askush, sikur Albin Kurti nuk do t’u kishte premtuar nënave shqiptare që i kanë fëmijët e humbur në luftë, se nuk do të ulet të tavolinë me Vuçiqin pa gjetjen e të zhdukurit të fundit në luftë, pa kërkimfaljen e presidentit serb për krimet e kryera ndaj shqiptarëve dhe shumë premtime tjera populliste në relacion me shtetin e Serbisë.

Anashkalimi i premtimeve të dhëna dhe ulja në një darkë pune me Vuçiqin në Bruksel ka ngritur reagime të fuqishme të nënave shqiptare dhe jo vetëm!

Ndryshe, dialogu me Serbinë nuk është diçka e re për Kosovën. Me Serbinë kemi dialoguar para dhe gjatë luftës, por është i papranueshëm dialogu i filluar pas shpalljes së pavarësisë, pa kushtin e njohjes reciproke dhe pa kompensimin e dëmeve të luftës nga ana e saj.

Portretizimet e gabuara për Albin Kurtin

Pasi qytetarët e vendit i gëlltitën shijshëm foret mashtruese të Albin Kurtit në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, e njëjta gjë nuk ndodhi edhe në zgjedhjet komunale! Kjo është shenjë se  qytetarët kanë filluar të zgjohen nga hipnoza dhe të vetëdijësohen.

Pa përmbushjen e asnjë premtimi të dhënë elektoral, askush nuk e ka të drejtën ta portretizojë Albin Kurtin si shpëtimtar dhe as ta krahasoj me Hasan Prishtinën!

Për ta arritur nivelin e legjendarit Hasan Prishtina, Albin Kurti duhet të jepë çdo gjë nga pasuria e tij për shtetin e jo ta përdorë arkën e shtetit, djersën e qytetarëve (mërgimtarëve) për serbët e veriut.

Në takimin me Vuçiqin, gjegjësisht me darkën e përbashkët në Bruksel, Albin Kurti nuk ia kthejë krenarinë popullit shqiptar, siq po e glorifikojnë adhuruesit e tij, por as nuk i turpëroj shqiptarët siq e akuzojnë rivalët politik, por e shpërfaqi personalitetin e tij të dyfisht, karakterin e ulët në mosmbajtjen e fjalës së dhënë para qytetarëve, e në veçanti para nënave shqiptare të cilat, që 23 vjet jetojnë me ankth dhe shpresë për gjetjen e bijëve dhe bijave të tyre.

Pak ka rëndësi, se a ishte i ulur Albin Kurti në “krye” apo në “fund” të tavolinës së rrumbullakët në njërin nga restorantet e Brukselit, sa është e rëndësishme përmbajtja e bisedimeve dhe prapaskenat me Vuçiqin!