Buka është në mesin e ushqimeve më të përdorura. Nuk ka shumë përbërës. Miell, ujë dhe pjekje në zjarr. Historia e saj është shumë e hershme.

Buka, sipas të dhënave historike, nisi të punohej rreth 8.000 vjet para Erës së Re në Egjipt.Querni ishte mjeti i parë i njohur për bluarjen e drithit, që më pas u përdor ekskluzivisht për gatimin e bukës, thuhet në artikullin e “lyonbakery”.

Pos Egjiptit, edhe një numër i madh vendesh asokohe e nisën gatimin e bukës, megjithëse mënyra e gatimit dallonte nga vendi në vend.

Romakët, kur e shpikën mullirin me ujë rreth vitit 450 para Erës së Re, bukën e konsideruan si formë arti në kuzhinë. Ajo përdorej nga shtresat e larta.

E në mesjetën britanike, gatimi i bukës u bë simbol i statusit të lartë. Klasat e arsimuara e konsideronin bukën e bardhë si ushqim elitar, ndërsa shtresat e ulëta, mjaftoheshin me thekër, krunde apo bukë të zezë e jo të pjekur mirë.

Persianët gjithashtu janë futur në histori për pjekjen e bukës. 600 vjet para Erës së Re, bënë revolucion duke shpikur mullirin me erë për bluarjen e drithërave. Ata gatuanin edhe ushqime të tjera me drithin e bluar.

Revolucionin kyç në historinë e njerëzimit e bënë zviceranët. Në vitin 1934 shpikën mullirin me rul (që përdoret edhe sot me disa modifikime shtesë, v.j.), ku përveç shtypjes së kokrrës së drithit, mulliri edhe e hapte atë, duke e ndarë nga endosperma, embrioni dhe krundet.

Nga shekulli i 20-të, përbërja e bukës pësoi ndryshime. Në lojë u futën kimikatet, me qëllim që jetëgjatësia e bukës të rritet. Mielli u përpunua nga industritë ushqimore, duke i detyruar autoritetet që ta urdhëronin shtimin e mineraleve dhe vitaminave.

Më 1970, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si pasojë e ndryshimeve në përbërës, konsumi i bukës shënoi ulje. U ngrit vetëm 10 vjet më pas, kur furrtarët iu kthyen “rrënjëve” për të prodhuar bukë artizanale, më të shëndetshme e pa kimikate.

Aktualisht në botë janë të njohura mbi 100 lloje të bukës.