Shkruan: Florim Zeqa 06.05.2022
Vazhdimi i bisedimeve pa kushte me Serbinë në Bruksel, gjegjësisht, dialogu i Albin Kurtit me Aleksandër Vuçiqin pa njohje reciproke, të kujton kohën e fillimit të dialogut para 11 viteve, kur Hashim Thaçi i hyri këtij dialogu të pabarabartë, i papërgatitur dhe pa agjendë shtetërore.
Kurti po e ndjekë rrugën e Thaqit!
Analogjia e Kurtit me Thaçin qëndron në faktin, se ky i fundit, pra, Hashim Thaçi para fillimit të dialogut (të imponuar nga bashkësia ndërkombëtare), deklarohej kundër, duke thënë se “dialogu me Serbinë ka përfunduar më 17 Shkurt 2008”, për të vazhduar pastaj, për afro 10 vite dialogun pa kushte me Serbinë, duke nënshkruar edhe marrëveshje të dëmshme për shtetin e Kosovës në Bruksel!
Të njëjtën gjë po vazhdon ta bëjë edhe Albin Kurti. Si opozitarë jo vetëm që deklarohej kundër dialogut, e kundërshtonte atë forcërisht duke protestuar e demoluar instititucionet e shtetit, kurse pas ardhjes në pushtet i ndërroi fjalët, qëndrimet personale dhe parimet politike.
Fillimisht, me ardhjen në pushtet, Kurti deklarohej se pa njohje reciproke nuk ka dialog me Serbinë, kurse më pas, në fillet e qeverisjes “Kurti 2”, dialogun e renditi herë si prioritet të pestë, të gjashtë, të shtatë e kështu më radhë, ndërsa në takimin e fundit me Vuçiqin në Bruksel, nuk tha se njohja është kushti i parë dhe fillestar i dialogut, por “në qendër e jo në fund të dialogut”!
Ndërrimi i qëndrimeve personale dhe rrëshqitja politike e Albin Kurtit është duke vazhduar me të njëjtin ritëm sikurse ajo e pararëndësit të tij (Hashim Thaçi)!
Kush mund t’na garantojë, që nesër Albin Kurti nuk do e ndërrojë përseri qëndrimin duke thënë se “dialogu duhet të përfundoj me njohje reciproke”!?
Dialogu me Serbinë nuk përfundon pa kompromise reciproke
Kompromisi si instrument për arritjen e marrëveshjeve, sikurse në jetën e përditshme, ashtu edhe në fushën e politikës, është hapje e rrugës për zgjidhjen e problemeve dhe arritjen e pajtimit mes palëve në konflikt. Kompromiset gjithnjë janë të dhimbshme, por janë e vetmja mënyrë e mbylljes së kapitujve të armiqësive të gjata.
Kësisoji, edhe Albin Kurti, dalëngadalë, por me hapa të sigurtë është duke u futur në vallen e gjatë të dialogut maratonik Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, i cili nuk ka gjasa teorike të përfundoj pa komopromise dypalëshe, si e vetmja formulë e normalizimit të marrëdhënjëve dhe njohjes reciproke.
Pas invazionit rus në Ukrainë, duket një vendosmëri dhe përkushtim më i madh i faktorit ndërkombëtarë për zgjidhjen e problemit mes dy vendeve dhe popujve, me qëllim të evitimit të një lufte të re në këtë pjesë të Ballkanit perëndimor.
Qytetarët e Kosovës kërkojnë transparencë të plotë nga Albin Kurti gjatë procesit të dialogut me Vuçiqin në Bruksel, duan t’i dinë të gjitha opcionet e ofruara nga bashkësia ndërkombëtare, kërkesat e Serbisë dhe gatishmërinë e palës kosovare në (mos) pranimin e kompromiseve të ofruara.
Patriotizmi i politikanëve fillon dhe mbaron tek Ura në Mitrovicë
Përmbyllja e dialogut me Serbinë, përveq mbylljes së kapitullit të luftrave dhe armiqësive shekullore mes serbëve dhe shqiptarëve, Kosovës fillimisht do t’i sjellë liberalizimin e vizave, do t’i hapë rrugën për anëtarësim në BE dhe OKB, UNESCO dhe INTERPOL, si dhe do të krijon stabilitet politik afatëgjatë në rajon dhe përspektiva të mëdha zhvillimore për shtetin tonë.
Nga dëshira për të marrë primatin e çdo gjëje për Kosovën, Thaçit i mbeti bajraku në dorë, anipse të gjitha punët i kryenin të tjerët (ndërkombëtarët). Tani, të njëjtën “stafetë” po e bartë Albin Kurti duke na u paraqitur si shpëtimtar, pa e pasur fuqinë për të ndikuar në agjendat e Brukselit dhe Washingtonit, pa e pasur forcën ushtarake dhe atë ekonomike siq i kanë fqinjët tanë…
Nuk do të merrem me darkën e Kurtit me Vuçiqin, nuk do të zgjatem tutje me përseritjen e zhvillimeve politike të pasluftës, as me pasojat e dialogut të Brukselit dhe as me rrëshqitjet e një pasnjëshme politike të Albin Kurtit.
Asnjë politikan kosovarë i pasluftës, në veçanti Albin Kurti nuk e ka asnjë arsye të “rrah gjoks” dhe as t’na shes patriotizëm, ngase ai fillon rrugëve të Prishtinës, vazhdon në Parlament dhe përfundon tek Ura e lumit Ibër në Mitrovicë, dhashtë Zoti të mos përfundojë aty edhe sovraniteti i shtetit!
Përfundimisht, nuk dëshiroj që Albin Kurti të largohet nga pushteti pa lënë gjurmë dhe pa na bërë krenarë që e kishim kryeministër. Në të të kundërtën, nëse nuk është në gjendje të mbajë premtimet e dhëna para qytetarëve dhe ta përmbyllë procesin e nisur, më mirë është të largohet sesa t’na e humbë edhe një dekadë në dialog me Serbinë!