Mbi diellin e coptuar
në bedena,
na mallkonte gjysëmhëna.
Të premten e zezë
korbat luteshin me nge,
arbër, këtu s’keni më Atdhe!
Atdheu
kishte rënë përmbys
përmbi bedena,
ndër lumenj
rridhte gjak e ujë,
po iknin arbrit
duke mallëkuar
të premten,
atje tej i priste
dheu i huaj.
Të gjallët
po i përpinte deti,
u fshinë edhe malet
mbi Krujë,
Atdheu
veç ëndërr mbeti,
shpirt të vdekurish
dhe gjak që s’bëhej ujë.
Deti hyri në mes
Dheut dhe njerëzve,
shpirti u bë
urë përmbi det.
Andej mbet Atdheu
bregu tjetër,
zvogëluar sa varri
i të madhit Skënderbeg.
Dheu ynë
mbet në bregun tjetër,
tani duken veç malet
mbi Krujë.
Gjashtëqind vjet
me fytyrë nga lind dielli,
shpirti i Arbrit
përmbi det bëhet urë.
Autor: Nikollë Loka