I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 deputeti i PD, Tritan Shehu ka folur për pretendimet se Shqipëria mund të pranojë 600 mijë refugjatë nga vendet e luftës si dhe vendimin e KE në fund të këtij muaji për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin. Shehu tha se Shqipëria duhet të marrë përgjegjësinë e saj në lidhje me refugjatët, por brenda kapaciteteve që ka. Sips tij qeveria është e paaftë për të dialoguar me ndërkombëtarët për këtë cështje.
“Pretendimet janë një qëndrim i qeverisë për të hequr vëmendjen nga kriminaliteti dhe nga korrupsioni. Unë dua të sqaroj se ne duam të japim kontributin në mbrojtje të paqes dhe lirisë. Por këto role kanë një proporcion me mundësitë tona që mos kthehen në elemente që na dëmtojnë ne tani dhe të ardhmen. Unë dëgjova Majkon dje që kërkoi t’i hedhë faj Evropës që nuk është problemi i saj. Unë mendoj se është përgjegjësia jonë sepse s’dimë të negociojmë. Iniciativat aventureske ne i mësojmë nga mediat e huaja sepse qeveria nuk jep detaje. Nuk na i ka fajin Evropa, por faji është i joni. Është problemi i krimit dhe drogës në vend që kërkojnë t’i mbulojnë me këto të tjerat.
Unë mendoj se duhet të jemi serioz për këto gjëra. Ne jemi të gatshëm të kemi përgjegjësinë tonë, por në proporcion me dimensione dhe natyrën e vendit tonë që mund të humbë ekuilibrat në çdo moment. Këto deklarata nuk bëhen në media. Unë mendoj se diçka fshihet me ketë çështje. Ne kemi strukturat tona dhe mund të jemi pjesëmarrës në akomodimin e refugjateve me aq se kemi mundësi. Qeveria nuk është e aftë të dialogojë me të huajt. Njësoj si me Greqinë që po detyrohen të japin çdo gjë sepse nuk janë të aftë të negociojnë. Marrëdhëniet me Greqinë u çuan në pikën zero”- tha Shehu.
Sipas deputetit të PD, çështjen e refugjatëve nuk mund ta zgjedhë Shqipëria, ndërsa hapja e negociatave në fund të këtij muaji mund të bëhet me kushte sepse Shqipëria nuk i ka plotëusar detyrat.
“Çështja e refugjatëve është një ‘patate e nxehtë’, por nuk mund ta zgjidhë Shqipëria. Shqipëria merr përgjegjësi me aq mundësi sa ka. Është e pa përgjegjshme të marrësh iniciativa të tilla dhe mendoj se duhet të distancohemi nga aventura të tilla. Evropa nuk mund të vendosë kushte për hapjen e negociatave në këmbim të refugjatëve. Shpresoj që të ketë një hapje të negociatave pavarësisht nga problemet që kemi. Hapja e negociatave është një e mirë e madhe për Shqipërinë. Por nuk mjafton vetëm dëshira. Gjermania dhe vendet e tjera kërkon që të bëhen detyrat e shtëpisë. Ne i dimë detyrat tona. Unë mendoj se do ketë një hapje të negociatave me kushte dhe ky është një rast unik. Fakti që vendosen kushte tregon se nuk kemi kryer detyrat tona. Rruga e vetme drejt BE është zgjidhja e problemeve siç janë lufta ndaj krimit, ndaj drogës, dekriminalizimi, etj”- tha deputeti i PD.