Shtetet e Bashkuara njoftuan të shtunën se do t’i ofrojnë Ukrainës një sasi armatimesh shtesë në vlerën e 200 milionë dollarëve. Bëhet fjalë për antitanke e kundërajrorë. Ky zhvillim vjen ndërsa zyrtarët ukrainas kanë vazhduar thirrjet për më shumë pajisje ushtarake për t’u mbrojtur nga artileritë e rënda të forcave ruse.
Presidenti Joe Biden autorizoi të shtunën ndihmën shtesë mbi sigurinë njoftoi Shtëpia e Bardhë, duke i hapur rrugën dërgimit të menjëhershëm të pajisjeve të reja ushtarake në Ukrainë, tha një zyrtar i lartë i administratës.
Pentagoni nuk pranoi të komentojë mbi këtë çështje duke ia referuar pyetjet Shtëpisë së Bardhë dhe Departamentit të Shtetit. Ukraina ka kërkuar më shumë armë antitank “Javelin” dhe raketa “Stinger” për të rrëzuar avionët rusë.
Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, nënvizoi të shtunën nevojën e Ukrainës për furnizime shtesë ushtarake gjatë një interviste me organizatën jofitimprurëse “Renew Democracy”. Shtetet e Bashkuara kanë furnizuar Ukrainën në mënyrë të përsëritur, me armë nga rezerva e armëve amerikane, duke filluar nga vjeshta e vitit 2021 dhe më pas sërish në dhjetor dhe shkurt.
Të enjten në mbrëmje Kongresi miratoi 13.6 miliardë dollarë ndihmë urgjente për Ukrainën si pjesë e një pakete prej 1.5 trilionë dollarësh për shpenzimet qeveritare deri në shtator.