Agjencia Evropiane e Barnave – EMA konstatoi të hënën se doza e tretë e vaksinës Moderna kundër koronavirusit mund t’iu jepet njerëzve 18 vjeç e lart – së paku gjashtë muaj pasi ta kenë marrë dozën e dytë.
Kjo është vaksina e dytë përforcuese që miratohet në Bashkimin Evropian.
“Vendimi pason të dhënat që tregojnë se doza e tretë e vaksinës [Moderna] – e dhënë 6 deri në 8 muaj pas dozës së dytë – çon në rritjen e nivelit të antitrupave te të rriturit”, tha EMA.
Në fillim të këtij muaji, EMA miratoi dozën përforcuese edhe të vaksinës Pfizer/BioNTech.
EMA rekomandoi që doza e tretë e vaksinës Pfizer/BioNTech ose Moderna t’iu jepet njerëzve me sistem të dobësuar imunitar.
Ajo i la vendet anëtare të Bashkimit Evropian që të vendosin vetë nëse popullsia e gjerë duhet të marrë dozën përforcuese ose jo.
Autoritetet amerikane kanë autorizuar tashmë dozat përforcuese të vaksinave Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson.