Futbollistët që kanë rezultuar pozitivë me Covid u kanë kushtuar klubeve të Premier League më shumë se 9 milionë sterlina në paga sezonin e kaluar – shkruan Daily Mail të dielën – dhe kjo është vetëm kostoja direkte e lojtarëve të pezulluar në sezonin 2020-21. 70 futbollistë të ekipit të parë në Premier League kanë qëndruar në pankinë pasi rezultuan të infektuar, me mesatarisht 128.822 sterlina për lojtar.
Duke marrë në konsideratë futbollistët që kanë rezultuar pozitivë në test në sezonin 2019-20 dhe ata të prekur këtë sezon, kostot totale arrijnë rreth 20 milionë sterlina.
Të dhënat janë marrë nga një raport i detajuar mbi dëmtimet dhe sëmundjet e futbollistëve në ekipet kryesore europiane, pjesë e “Big Five” sezonin e kaluar, i cili do të publikohet këtë javë.
Pjesa më e madhe e kostove financiare të kufizimeve për futbollin janë të mirëdokumentuara, nga të ardhurat e munguara tek marrëveshjet me TV. Por deri më tani, kostot ekonomike që rrjedhin nga sëmundja e lojtarëve janë anashkaluar.
Analiza e re vjen në një raport të quajtur “Feeling The Strain: 2021 European Football Injury Index”, e përpiluar nga agjentët ndërkombëtarë të sigurimeve, Howden. Ajo ilustron në detaje mjekoligjore kostot e testeve pozitive të Covid te lojtarët e ekipit të parë në 5 kampionatet kryesore europiane (Big Five).
Në sezonin 2020-21 rezultuan 494 teste pozitive Covid për lojtarët e ekipeve të parë në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani dhe Francë. Përveç 70 në Premier League, rezultuan 73 në Bundesligë, 83 në La Liga, 97 në Ligue 1 dhe 171 në Seria A, ku më shumë se një në tre lojtarë rezultuan pozitivë. Në total janë paguar 17 milionë sterlina, ndërkohë që ata nuk mund të luanin.
Mungesa mesatare ishte 13 ditë në Spanjë, 14 ditë në Premier League dhe Seria A, 15 ditë në Francë dhe 17 ditë në Gjermani.
Kostoja totale në pagat bazë të paguara për lojtarët në “Big Five”, të cilët nuk mund të luanin, për shkak se s’mundën ta kalojnë testin, ishte më shumë se 42 milionë sterlina. 494 testet pozitive përfaqësojnë më shumë se 1 në 10 nga gjithë 3988 “dëmtimet” e regjistruara në ekipet e “Big Five” dhe përbënin më shumë se 10% të kostos prej 415 milionë sterlinash të gjithë dëmtimeve dhe sëmundjeve.
Ka të ngjarë që programi i Premier League, me kaq shumë fasha orare të ndryshme në sezonin 2020-21, ku gjithë ndeshjet janë transmetuar “live” në TV të ketë sjellë një rritje të numrit të dëmtimeve muskolare dhe indeve të buta.
Vendimi i Ligue 1 franceze për të anuluar fundin e sezonit 2019-20 ndoshta mund të jetë shkak i një numri më të ulët dëmtimesh të lojtarëve.
Disa nga klubet më të mëdha europiane pësuan më shumë dëmtime të përgjithshme, me Manchester United, 79, klubi që ka vuajtur më shumë dëmtime në Premier League, 78 – PSG në Ligue 1, 76 l – Bayern Munich në Bundesligë; 68 – Real Madrid në La Liga dhe 61 – Juventus në Serie A.
Autorët e studimit theksojnë se të gjithë klubet, përveç Bayern, janë mundur në kampionatet e tyre kombëtare nga klube me më pak lojtarë të dëmtuar. Për shembull, te Manchester City, klubi fitues i Premier League, u regjistruan 26 dëmtime më pak se rivali Manchester United, ndërsa Atletico, kampion i La Liga, regjistroi 26 dëmtime më pak se Real Madrid.
Raporti prej 162 faqesh i Howden i kategorizon lëndimet e sezonit të kaluar sipas llojit (në muskuj, kraharor, në gju e kështu me radhë), moshës dhe pozicionit të lojtarëve për secilin kampionat duke analizuar koston mesatare të secilit, kohën jashtë fushe dhe numrin mesatar të lojtarëve që kanë munguar nga çdo skuadër në ndeshjen e ditës.