Gjykata më e lartë në Spanjë, ka thënë se masa strikte e izolimit vitin e kaluar ka qenë jokushtetuese.

Ky vendim ua hap derën personave që janë dënuar për shkelje të rregullave, që të bëjnë kërkesë për kthim të parave.

Mirëpo gjykata ka thënë se nuk do të pranojë padi nga njerëzit dhe bizneset, që dëshirojnë të padisin Qeverinë spanjolle, me arsyetimin se kanë humbur para gjatë izolimit.

Qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme më 14 mars të vitit 2020, për të luftuar valën e parë të pandemisë së koronavirusit.

Atëbotë, numri i të infektuarve dhe të vdekurve me koronavirus ka qenë duke u rritur, dhe spitalet shpejt janë mbushur.

Që atëherë, më shumë se 81,000 persona në Spanjë, kanë vdekur me koronavirus.

Nën masat e gjendjes së jashtëzakonshme, pothuajse të gjithë njerëzve u është kërkuar të qëndrojnë nëpër shtëpi, dhe u është lejuar dalja vetëm për arsye thelbësore.

Të gjitha bizneset, përveç atyre të domosdoshme, kanë qenë të mbyllura.

Masat e izolimit kanë qenë në fuqi deri më 20 qershor 2020, ndonëse disa kufizime janë rikthyer më vonë, gjatë valës së dytë të pandemisë.