Instalimet e aplikacionit TikTok u rritën me 35% në muajin maj, krahasuar me një muaj më parë, duke qenë sërish aplikacioni jo-lojë më i shkarkuar në botë, sipas shoqërisë për analizën e tregut, Sensor Tower.
Sipas SensorTower, në klasifikimin që bën çdo muaj, rrjeti social kinez ka fituar pozicionin e parë edhe në sistemin operativ Android, duke lënë pas Facebook, që kryesonte në mars dhe prill. Aplikacioni në pronësi të ByteDance është instaluar 80 milionë herë në muajin maj. Brazilianët janë ata që e kanë instaluar më shumë (16%), ndjekur nga kinezët (12%) ku emri i software është Douyin.
Facebook ishte aplikacioni i dytë më i instaluar jo-lojë në mbarë botën muajin e kaluar, me 53 milionë instalime. Vendet me numrin më të lartë të instalimit të Facebook ishin India, 27% ndjekur nga SHBA me 7%. Instagram, WhatsApp dhe Messenger renditen ndër pesë aplikacionet më të instaluara jo-lojë në mbarë botën në muajin maj.
SHBA ishte tregu i dytë më i madh për TikTok nga dhjetori në mars, por ra nga dy të parët në prill – sipas Sensor Tower. Sipas analistëve, instalimet e TikTok u rritën me 35% në maj krahasuar me një muaj më parë. Megjithatë numri i shkarkimit të aplikacionit ka pësuar rënie me 29% vit pas viti, duke mos e arritur rekordin 112 milionë instalime në maj të vitit të kaluar. Në qershor 2020, TikTok u ndalua në Indi, tregu kryesor jashtë. TikTok ndër të tjera u përball edhe me reagime politike në SHBA në verë, në kohën kur president ishte Donald Trump, i cili kërcënoi se do ta bllokonte aplikacionin.
Administrata aktuale e Biden i ka pezulluar veprimet ligjore kundër TikTok, edhe pse politika amerikane, veçanërisht e kujdesshme ndaj aplikacioneve kineze, nuk ka përfunduar. Duke u kthyer te Sensor Tower, në App Store, pas TikTok është YouTube dhe Instagram. WhatsApp dhe Facebook renditen përkatësisht në vend të katërt dhe të pestë. Në Play Store, kryesimin e ruan TikTok, ndjekur nga Facebook, Instagram e WhatsApp. Në top 10 është edhe Josh, aplikacion për video të shkurtra, por mjaft popullor në Indi.