Agjencitë britanike të zbulimit së bashku me shërbime të tjera të sigurisë të Evropës Perëndimore, po ndihmojnë një hetim të ri amerikan që po përpiqet të zbardhë të vërtetën e origjinës së pandemisë së koronavirusit, sipas zyrtarëve nga të dy anët e Atlantikut.
Në fokus të hetimit është Instituti i Virologjisë në Wuhan të Kinës pas dyshimeve se virusi që ka goditur rëndë botën dhe ka çuar në të paktën katër milionë të vdekur, mund të ketë dalë nga laboratori i tij, një pretendim ky që është mohuar fuqishëm nga Pekini.
Zyrtarët britanikë i thanë shtypit londinez të dielën se teoria se virusi doli nga laboratori është “e besueshme” dhe “e mundshme”, një ndryshim nga qëndrimi skeptik i inteligjencës britanike për 18 muajt e fundit ndaj kësaj hipoteze. Agjenci të tjera të zbulimit ishin gjithashtu skeptike vitin e kaluar, duke e parë atë si një mundësi të skajshme.
Por javën që shkoi, Presidenti amerikan Joe Biden u kërkoi agjencive amerikane të inteligjencës të hetojnë këtë teori dhe të raportojnë brenda tre muajsh. Urdhri i Presidentit Biden vjen pas zbulimeve të më shumë detajeve nga inteligjenca amerikane rreth tre studiuesve në laboratorin e Wuhanit të cilët u sëmurën në nëntor 2019, disa javë para rastit të parë të identifikuar me koronavirus – dhe më shumë se një muaj para se Kina të informojë Organizatën Botërore të Shëndetësisë se “raste me pneumoni” nga “një shkaktar i panjohur” ishin identifikuar në Wuhan.
Studiuesit ishin shtruar në spital me simptoma që përputhen edhe me COVID-19 por edhe me sëmundje të zakonshme sezonale të frymëmarrjes, sipas një raporti të inteligjencës amerikane të publikuar nga “The Wall Street Journal”.
Detajet e reja shtuan provat që mbështesin teorinë se virusi mund të jetë përhapur tek njerëzit pas daljes nga laboratori i Wuhanit, thonë zyrtarët perëndimor.
Një raport i ekipit të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësis në fillim të këtij viti e cilësoi hipotezën si “jashtëzakonisht e pamundur” ndërsa ka mbështetur si më të mundshme teorinë se koronavirusi mund të ketë origjinën nga një treg i vjetër i Wuhanit, duke u bartur tek njeriu nga një kafshë si lakuriqi i natës ose pangolin.
Por hetimi i OBSH-së u zhvillua mes kritikash në rritje nga disa shkencëtarë të njohur perëndimorë dhe qeveri perëndimore, të cilët thonë se autoritetet kineze bllokuan ekipin e OBSH-së gjatë një vizite katër-javore në Wuhan në janar.
Tetëmbëdhjetë epidemiologët dhe gjeneticistë më të mirë në botë shkruan një letër për revistën “Science” duke bërë thirrje për një hetim të pavarur mbi teoritë e daljes së virusit nga laboratori.
Zyrtarët britanikë të zbulimit konfirmuan për Sunday Telegraph se agjencitë britanike të sigurisë po bashkëpunojnë me hetimin e ri amerikan. “Ne po kontribuojmë me të dhënat që kemi për Wuhanin, si dhe po ndihmojmë amerikanët për të vërtetuar dhe analizuar çdo të dhënë me të cilën ne mund të ndihmojnë“, u citua të ketë thënë një zyrtar.
“Ajo që kërkohet për të gjetur të vërtetën e shpërthimit të koronavirusit janë të dhënat nga burime të besueshme dhe jo analiza të informacionit dhe kjo është e vështirë të arrihet”, shtuan ata.
Zyrtarë të agjencive të zbulimit në të dy anët e Atlantikut thonë se hetimi do të përfshijë përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale për të ndihmuar grumbullimin e të dhënave nga komentet kineze në rrjete sociale e deri tek përgjimi i telefonave dhe komunikimet elektronike në Kinë.
Selia e Komunikimeve Qeveritare të Britanisë, e njohur si GCHQ, agjencia e mbledhjes së informacionit sekret dhe shërbimi më i madh inteligjent i vendit, do të jetë thelbësore në bashkëpunimin e Britanisë me ShBA, thanë zyrtarët britanikë për Zërin e Amerikës.
Me pak burime të inteligjencës në terren në Kinë, agjencitë perëndimore të zbulimit besohet se janë duke shtrirë të ashtuquajturën “rrjeta e errët” për të zbuluar informacionin e postuar dhe të shpërndarë në mënyrë anonime nga shkencëtarë dhe zyrtarë kinezë që fshehurazi kritikojnë qeverinë komuniste.
Ligjvënësit britanikë mirëpresin përpjekjen e dyfishuar për të identifikuar origjinën e pandemisë. “Heshja që vjen nga Wuhani është shqetësuese. Ne duhet të hapim katakombet e nëndheshme dhe të shohim se çfarë ka ndodhur, që të jemi në gjendje të mbrohemi në të ardhmen”, tha të dielën Tom Tugendhat, kryetar i komisionit për punë të jashtme në parlamentin britanik.
Autoritetet në Kinë mohojnë mundësinë e ndonjë rrjedhjeje nga laboratori i Wuhanit, i cili kryen kërkime mbi viruset dhe merr disa fonde nga qeveria amerikane. Vitin e kaluar, propaganduesit kinezë fajësuan për shpërthimin e koronavirusit një delegacion sportiv të Ushtrisë Amerikane që vizitoi Wuhanin, teori konspirative që janë diskredituar më pas nga virologë dhe epidemiologë të njohur.
Javën e kaluar “China’s Global Times, një gazetë e përditshme e Partisë Komuniste Kineze, dënoi Dr. Anthony Faucin, ekspertin më të lartë të sëmundjeve infektive në Amerikë, duke thënë se ai mbështeste hetimin e teorive të shumta të origjinës së virusit, përfshirë edhe hetimit për rrjedhje të tij nga Instituti i Virologjisë së Wuhanit.
Zoti Fauci tha se është me rëndësi shtimi i përpjekjeve për të zbuluar arsyet, vendin dhe mënyrën si filloi pandemia, sepse njohja e origjinës ndihmon parandalimin e shpërthimeve të ardhshme të koronavirusëve. “Mendoj se duhet të vazhdojmë të hetojmë atë që ndodhi në Kinë derisa të kuptojmë më së miri që mundemi atë që ndodhi”, tha ai.
Global Times akuzoi Dr. Faucin për përpjekje “për të nxitur teori të vjetra dhe të pabaza se virusi kishte dalë nga një laborator në Wuhan”. Gazeta tha se teoria e rrjedhjeve “është një gënjeshtër e qartë, një komplot i krijuar nga agjencitë amerikane të zbulimit dhe shtypi për të shpifur ndaj Kinës ndërsa Kina e ka mohuar atë”.