Në anën e vullkanit Pecaya të Guatemalës shihet llava që rrëshqet. Ekspertët lokalë thonë se tani për tani, llava nuk duket se do të rrezikojë banorët aty pranë, nëse nuk ndryshon drejtim.
Hulumtuesi Tarsilo Girona me Universitetin e Alaskës është autor kryesor i një raporti që studion të dhënat satelitore me synimin për të zbuluar aktivitetet e ardhshme vullkanike.
“Hulumtimi tregon se në parim, ne mund të përdorim shenjat nga çlirimi i nxehtësisë, që vërehet në sipërfaqen e vullkaneve. Këto të dhëna mund t’i përdorim për të parashikuar më mirë aktivitetin vullkanik”, thotë zoti Girona.
Përmes instrumenteve satelitore, NASA studioi për 16 vite rrjesht çlirimin e nxehtësisë. Shkencëtarët gjetën se në vitet në prag të shpërthimit, temperatura në sipërfaqen e vullkanit u rrit me rreth një gradë celsius.
“Një prej detyrave tona kryesore është vëzhgimi i vullkaneve në kohë reale. Në bazë të kësaj metodologjie të re ne do të ofromë të dhëna shtesë që mund të përdoren për të kuptuar më mirë aktivitetin e vullkaneve aktive dhe parashikuar shpërthimet”, thotë hulumtuesi Tarsilo Girona me Universitetin e Alaskës.
Zoti Griona thotë se duke shtuar mjetet e reja për zbulimin, shpërthimi i një vullkani mund të parashikohet disa muaj ose vite më herët.
“Ne kombinojmë metodologji të ndryshme për të kuptuar më mirë se çfarë po ndodh në shtresën e poshtme dhe parashikuar aktivitetin vullkanik. Zakonisht, parashikimi nuk mund të bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kombinimi i metodologjive të reja dhe të dhënave na çon pranë parashikimeve më të sakta të shpërthimeve vullkanike.”
Pranë vullkanit Pacaya të Guatemalës jetojnë 21 komunitete. Çdo të mërkurë të prillit, adhuruesit shkojnë për t’u lutur pranë llavës, duke spërkatur ujë të bekuar dhe kërkuar fuqisë hyjnore që të ndalojë rrjedhën.
Hulumtuesi Girona thotë se me mbledhjen më rigoroze të të dhënave, shkenca mund të paralajmërojë komunitetet si këto para se të ndodhë shpërthimi i ardhshëm.