Në një përpjekje për ta vendosur Broadway-n përsëri në qendër të vëmendjes, qyteti i Nju Jorkut hapi një qendër të re për vaksinimin ndaj COVID-19 për punonjësit e skenës dhe ekranit në Times Square. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Evgeny Maslov njofton:

Aktorë nga muzikali Jersey Boys interpretojnë para publikut të mbledhur në Times Square. Me fytyrë të mbrojtur, mini-shfaqja shënon fillimin e procesit të vaksinimit për punonjësit e skenës dhe ekranit të Broadway-t.

“Për këtë qytet – teatri, muzika, vallëzimi, filmi dhe televizioni – janë shprehja jonë për gjithçka që është qyteti i Nju Jorkut!”, thotë kryebashkiaku Bill de Blasio.

Kur teatrot e Broadway-t u mbyllën në mars 2020, qyteti humbi rreth 14 miliardë dollarë të ardhura dhe la më shumë se 100,000 njerëz të papunë.

“… të bësh prova kur nuk dihet rezultati, ishte diçka sfiduese mendërisht, fizikisht dhe emocionalisht”, thotë artisti Charl Brown.

“Unë isha në gjendje të jepja mësime private në internet – unë i bie baterive. // Por asgjë nuk zëvendëson interpretimin e drejtpërdrejtë me miqtë e tu për një audiencë që është e pranishme”, thotë Elina Vonomo.

Një qendër vaksinimi në Times Square shënon fillimin e rigjallërimit të Broadway-t. Susan Sampliner është një producente me përvojë në Broadway, por aktualisht ajo shërben si vullnetare për vaksina.

“Ka menaxherë skenash, ata që punojnë në gardëroba, parrukierë, muzikantë – të gjithë janë në prapaskenë. Dhe në pjesën e përparme, kemi biletarinë, llogaritarë, portierë dhe pastrues. Në një muzikal të madh mund të ketë rreth 200 njerëz që punojnë për një shfaqje”, thotë ajo.

Qendra është e pajisur për të vaksinuar deri në 1500 persona në ditë. Sa më shumë artistë dhe punonjës vaksinohen, aq më shpejt do të rikthehet në jetë Broadway. Dhe nuk është vetëm Broadway, por janë hotelet, restorantet dhe dyqanet përreth.

“Ne duam të mblidhemi përsëri dhe duam të tregojmë histori. Nuk mund ta bëjmë këtë nëse nuk ndihemi të sigurt dhe nëse spektatorët nuk ndihen të sigurt. Pra, hapi i parë në këtë proces është vaksinimi – dhe hapat e tjerë do të pasojnë”, thotë krijuesi, producenti dhe artisti Lin-Manuel Miranda.

Teatrot shpresojnë të rihapin dyert deri në shtator – dhe të fillojnë procesin e ngadaltë të rimëkëmbjes, shoqëruar – si gjithçka në Broadway – me muzikë dhe vallëzim.