Marrë nga Reuters

Negociatat për antarësim mes Turqisë dhe Bashkimit Evropian duhet të pezullohen zyrtarisht nëse Ankaraja nuk heq dorë nga tendencat autokratike, shprehen ligjvënësit evropianë, duke shtuar se duhet marrë me urgjencë një vendim nëse vazhdojnë të goditen të drejtat bazë në këtë vend.

Ligjvënësit e Komisionit për Çështje të Jashtme në Parlamentin Evropian votuan me 49 vota pro, katër kundër dhe 19 abstenime për raportin mbi statusin e kandidaturës së Turqisë. Tani raporti do t’i kalohet sesionit të plotë plenar muajin e ardhshëm. Nëse dokumenti miratohet, ai bëhet pozicionimi zyrtar i Parlamentit Evropian.

Pas një ngërçi të tejzgjatur prej vitesh lidhur me ambicjet e Turqisë për t’u bashkuar me bllokun evropian, negociatat e filluara në 2005-ën janë ngrirë, megjithëse nuk janë pezulluar zyrtarisht.

Qeveritë e bllokut evropian thonë se shtypja e kundërshtarëve nga Presidenti turk Erdogan dhe zgjerimi i kompetencave presidenciale dhe i autoritetit të regjimit të tij autokratik, pa kontroll dhe kundërpeshë nga forca apo institucione të tjera, e kanë çuar vendin në një rrugë që po e largon nga BE-ja.

Në vitin 2003, kur zoti Erdogan ishte në fillimet e tij si kryeministër, kandidatura e Turqisë po ecte me hapa të shpejtë. Ai u vlerësua për një udhëheqje që solli stabilitet, tërhoqi investime të huaja dhe nxori jashtë ligji dënimin me vdekje.

Tani zyrtarët e BE-së thonë se Turqia nuk përmbush më kriteret për vend-kandidat, e aq më pak për anëtare me të drejta të plota në një bashkim vendesh demokratike.

Në raportin e Komisionit për Çështjet e Jashtme, ligjvënësit evropianë propozojnë pezullimin zyrtarisht të bisedimeve për antarësim, pasuar nga një periudhë analize për të shqyrtuar mënyra të tjera për të ruajtur marrëdhënie të afërta me Turqinë.

BE-ja është investitori i huaj më i madh si dhe partneri më i madh tregtar i Turqisë.