Grumbullimi në Vishegrad ishte baraz me një provokim: Një duzinë burrash u mblodhën në javën e dytë të marsit 2021 në qytetin e lindjes së shkrimtarit të njohur, Ivo Andrić, për të nderuar “vullnetarë” rusë, që mbështesnin në luftën e Bosnjës në vitet 1992-1995 trupat serbe dhe u vranë në luftime. Një shoqatë serbo-ruse kishte përgatitur edhe një kurorë. Para krimeve të shumta të bërë nga serbët në Bosnjë, të mbijetuarit e luftës bënë fjalë për lëndim rishtazi të viktimave, 26 vjet pas fundit të luftës. Në vend që të nderohen vullnetarët rusë të luftës, duhej të hetohej më shumë përzierja e tyre në krime lufte, kërkoi një shoqatë e grave për viktimat e luftës. Ky rast nuk është i vetmi në Ballkan që mban nënshkrimin rus. Me qëllim Moska përpiqet të zgjerojë influencën, me një mënyrë hibride veprimi, për të përcaktuar terrenin e saj dhe nxitur aktorët, që pengojnë proceset e demokratizimit. Në vendin më të brishtë në rajon, Bosnje-Hercegovinë, Rusia mbështet ku të mundet serbët, dhe kroatët, që duan të hedhin në erë rendin e tanishëm të paqes. Milorad Dodik, përfaqësues serb në presidencën shtetërore boshnjake rregullisht kërcënon me shkëputje.
Një ëndërr e vjetër
Para pak ditësh, Dodik doli me një propozim të ri. Duhej të bëhej një “ndarje paqësore” e Bosnjes, trumbetoi ai, dhe solli një ide, që sipas mediave rridhte nga pena e kryeministrit të Sllovenisë, Janez Janša. Në një “Non-Paper”, Janša po ashtu me kontakte me Rusinë, duket që kërkon ristrukturimin e shteteve të Ballkanit sipas kritereve etnike. Që prej atëherë po shtohen zërat paralajmërues e emergjentë: me propozime të tilla provokohen përplasje të reja luftarake.
Pa dyshim që diskutimi për kufinj të rinj në Ballkanin Perëndimor çon ujë në mullirin e atyre që me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës duan të bëjnë realitet një ëndërr të vjetër. Bashkimin e serbëve në një shtet të vetëm. Ishin pikërisht këto ideologji për territore të pastra etnike, që çuan në luftërat e përgjakshme në ish-Jugosllavi në vitet 1991-1995.
Mbështetje për ekstremistët
Me homologun e tij të atëhershëm, Franjo Tudjman, president i Republikës së Kroacisë, pushtetmbajtësi i atëhershëm, Slobodan Milošević ra dakord pas shpërbërjes së Jugosllavisë për ndarjen e Bosnjes. Pasuan krime lufte, dëbime dhe përdhunime masive për të nxjerrë në dritë një Serbi të Madhe dhe një Kroaci të Madhe. Që ideologji të tilla rigjallërohen sërish, ka lidhje edhe me Moskën që nuk është aspak e pafajshme me mbështetjen për ekstremistët si Dodiku. Në një kohë që BE dështon qartë prej vitesh që t’ia bëjë të besueshme rajonit perspektivën e anëtarësimit, Moska e bën shprehimisht të qartë, se çfarë misioni ka: destruktivitet të qëllimshëm.
Gabimet e BE
Rusia përdor gabimet e Bashkimit Europian këtu, që prej vitesh ndjek një politikë “appeasement” zbutjeje me elitat e korruptuara politike të Ballkanit Perëndimor. Në këtë mënyrë nxiten “stabilokracitë” me politikanë që veprojnë në mënyrë autoritare. Reformat e qëndrueshme demokratike mbeten kështu në gjysmë të rrugës. Vendet e Ballkanit Perëndimor, me pak përjashtime, janë sot një El Dorado për radikalizime se sa një skenë e lidhjes koherente me perëndimin. Si pasojë, Brukseli po perceptohet gjithnjë e më pak si partner strategjik nga shumë aktorë në rajon me qëndrim demokratik. Aktivistë të shoqërisë civile e të drejtave të njeriut ankohen, se janë lënë vetëm nga BE në luftë kundër klaneve kriminale, një humbje e madhe reputacioni për BE, që në krizën e Coronës ashpërsohet edhe më shumë.
Sputnik si shpëtimtari i pandemisë
Jo vetëm për shkak të politikës dështake të BE për vaksinimin, Rusia po ia del në kohën e krizës të profilizohet si aktore potente. Presidenti serb, Aleksandar Vučić, ura më e rëndësishme lidhëse e Putinit në rajon, e përdor marrëdhënien e mirë me të jo vetëm për të furnizuar me vaksina popullsinë e vet, por edhe “turistët e vaksinës” nga shtetet fqinje. Vaksina ruse Sputnikpo merr kështu një rëndësi gjeostrategjike. Edhe Kina po prezantohet demonstrativisht nga Vučić si partnere besnike në nevojë, shoqëruar me thumba për BE-në e vonuar.
Në një kohë që Moska po dislokon trupa para Ukrainës, në Ballkan përdoren metoda më të rafinuara. Kështu qeveria e Malit të Zi së fundmi propozoi një ndryshim të së drejtës për nënshtetësinë, ku të huajt që jetojnë në mënyrë të vazhdueshme në vend kanë mundësi të bëhen qytetarë malazez, mes tyre edhe serbët dhe rusët. Me këtë mund të kemi ndryshime masive në popullsi dhe drejtimin politik, paralajmëroi analisti Zlatko Vujovic, shumica properëndimore e Malit të Zi do të eliminohej kështu me një dorë. Kështu në mënyrë “legale” do të forcoheshin forcat anti-perëndimore dhe proruse. Pas protestash pasive, qeveria u tërhoq nga këto plane.
Dështimet ruse
Që në vitin 2016 Moska kishte krijuar fakte në Malin e Zi: Me ndihmën e një komandoje speciale, presidenti afatgjatë i vendit, Milo Djukanović, që ishte angazhuar fort për anëtarësimin në NATO duhej të mënjanohej. Komploti me pjesëmarrje të njerëzve të shërbimit sekret serb dhe rus u zbulua, Mali i Zi megjithë ndërhyrjen e Moskës u bë anëtar i aleacës ushtarake. Edhe në Maqedoninë e Veriut, Rusia paraqitet si fuqi e fortë. Nuk është sekret, që partia e ish-kryeministrit që u arratis në Hungari, Nikola Gruevski, VMRO-DPMNE është e lidhur fort me Kremlinin. Që vendi u pranua në NATO ishte një dështim tjetër i Rusisë në Ballkan.
Kundër shoqërisë civile dhe BE
Nuk është rastësi, që forcat ruse që atëherë bëjnë gjithçka, që të dobësojnë qeverinë proeuropiane dhe socialdemokrate të kryeministrit, Zoran Zaev. Investimet në media përdoren qëllimisht për të përhapur propagandë pro-ruse dhe nacional-shoviniste. Në krizën e Coronës qarkullojnë lajme të rreme të përgatitura me kujdes, që duan të minojnë besueshmërinë e qeverisë së Zaevit.
Ndërkohë që kërcënohen aktore e aktorë të shoqërisë civile që angazhohen për reforma demokratike. Njëri prej tyre edhe Abirre Deralla, nga organizata joqeveritare, Civil. Rregullisht aktivisti për të drejtat e njeriut denigrohet si tradhtar, portale të ndryshme përhapin krahasime me famëkeqin nazist, Goebbels. “Këto qarqe kanë si synim në radhë të parë të dëmtojnë integrimin në BE”, thotë Deralla. Intensiteti i sulmeve në kohët e fundit ka kaluar në një stad të ri, me sulme masive në internet dhe faqen online të organizatës së tij. Analizat tenike, sipas Derallës, të thonë që sulmet e fundit e kanë origjinën direkt nga Rusia.
Politologja dhe gazetarja, Marion Kraske drejtoi nga viti 2015-2021 zyrën e Fondacionit gjerman Heinrich Böll për Bosnje-Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë me qendër në Sarajevë.