–Pjesë nga Fjala në Konferencën për 30 Vjetorin e Rivendosjes së Marrëdhënieve SHBA-Shqipëri, organizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare,
31 mars 2021–
Administratat e njëpasnjëshme amerikane kanë ndjekur një politikë të pandryshueshme ndaj Shqipërisë. Vizioni i Amerikës për Shqipërinë ka qenë që ajo të jetë një vend i qëndrueshëm, i begatë dhe demokratik ku të respektohen plotësisht normat dhe proceset demokratike. Shqipëria është trajtuar si pjesë e rëndësishme e konceptit të Uashingtonit për ndërtimin e një Evrope të pandarë dhe të lirë. Hartuesit e politikave amerikane e kanë bërë të qartë se është në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara ta shohin Shqipërinë pjesëtë komunitetit Euro-Atlantik.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë nxitësi më i rëndësishëm dhe më me ndikim për demokratizimin e Shqipërisë, duke dhënë mbështetje të konsiderueshme diplomatike, politike, ekonomike dhe ushtarake. Uashingtoni ishte forca kryesore shtytëse për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës nga Serbia dhe për pranimin e Shqipërisë në NATO. SHBA luajtën gjithashtu një rol kryesor në zgjidhjen e konfliktit etnik në Maqedoninë e Veriut, çka ka çuar në një përmirësim të dukshëm të statusit të shqiptarëve atje.
Po ashtu, gjatë tre dekadave të fundit, Shqipëria, si dhe shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, kanë qenë në qendër të një vëmendjeje të konsiderueshme nga ana e Uashingtonit. Përfaqësuesit shqiptarë kanë pasur qasje relativisht të lehtë te politikanët amerikanë. Ata kanë gëzuar mbështetje dypartiake në Kongresin amerikan dhe senatorë e kongresistë të shquar kanë qenë mbështetës të çështjeve shqiptare. Presidenti Joe Biden ka pasur kontakte të shumta personale me udhëheqësit shqiptarë dhe është njohes i mire içështjeveshqiptare, veçanërisht i çështjes së Kosovës.
Ndërsa kanë ofruar mbështetje për forcimin e qëndrueshmërisë dhe begatisë së Shqipërisë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ngurruar të vënë në dukje hapur dështimet e procesit tëdemokratizimit– shkelja e normave demoratike, përpjekjet e ekzekutivit për të kontrolluar institucionet e pavarura, sulmet ndaj medias, parregullsitë zgjedhore dhe dështimi për të luftuar korrupsionin e përhapur.
Politikëbërësit dhe përfaqësuesit amerikanë shpesh janë zhgënjyer me paaftësinë ose mosgatishmërinë e politikanëve shqiptarë për të gjetur gjuhë të përbashkët në çështjet e mëdha, për të respektuar zotimet e tyre dhe për t’i mbështetur deklaratat me veprime konkrete. Ekziston një hendek i madh midis deklaratave retorike të mbështetjes për reformat thelbësore tepër të nevojshme dhe angazhimit aktual ndaj reformave. Shtetet e Bashkuara kanë bërë kritika të sinqerta ndaj rrëshqitjes prapa, e megjithatë kanë qenë të angazhuara fort për ta ndihmuar Shqipërinë të përballet me këto sfida.
Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë krijuar një marrëdhënie të fortë dhe të gjallë.
Është e natyrshme që në raste të tilla si 30 vjetori i rivendosjes së lidhjeve, vemendja të përqendrohet tek aspektet pozitive të tyre. Por është gjithashtu e rëndësishme të theksohen disa çështje që, nëse nuk trajtohen nga shqiptarët, mund t’i vënë në provë serioze këto marrëdhënie.
Si çdo marrëdhënie dypalëshe, edhe ato mes Amerikës dhe Shqipërisë duhet të ushqehen vazhdimisht dhe jo të merren si të mirëqena apo të shihen si diçka statike dhe të përhershme. Mbi të gjitha, mbështetja e Amerikës nuk është një e drejtë e natyrshme e shqiptarëve. Në themel të marrëdhënieve janë vlerat e përbashkëta demokratike dhe angazhimi i Shqipërisë për demokracinë, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë. Ndërtimi i një demokracie funksionale në Shqipëri mbetet një objektiv i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane. Veprimet që minojnë praktikat demokratike jo vetëm që mund të minojnë marrëdhëniet, por mund të sjellin një ndryshim në qëndrimet e SHBA dhe, në rastin më të keq, një rishikim thelbësor të lidhjeve mes dy vendeve.
Vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar një rrëshqitje të konsiderueshme prapa në rrugën e demokracisë dhe një autoritarizëm në rritje, duke e bërë atë një nga vendet më jofunksionale dhe më të korruptuara në Evropë. Sistemi politik i Shqipërisë në thelb është prishur dhe vendi është shndërruar në një shtet njëpartiak, autoritar, me Partinë Socialiste në fuqi që kontrollon pushtetin në të gjitha nivelet.
Polarizimi politik, korrupsioni i përhapur në radhët e zyrtarëve publikë dhe atyre në poste të larta, krimi i organizuar dhe kultura e mosndëshkimit kanë pasur një kosto të madhe dhe vazhdojnë të paraqesin një kërcënim ekzistencial për demokracinë e Shqipërisë. Pikërisht institucionet që kanë rëndësi të dorës së parë për të luftuar korrupsionin– zyrtarët qeveritarë, anëtarët e parlamentit, politikanët, gjykatat dhe gjyqtarët, prokurorët dhe policia – janë ato që po e minojnë fushatën kundër korrupsionit.
Politikanët dhe biznesmenët e fuqishëm kanë kapur shtetin dhe, si rrjedhojë, pasuria dhe qasja tek pushteti janë përqendruar në duart e një grupi të vogël. Natyra gërryese e modelit kleptokratik të qeverisjes së Shqipërisë është tepër serioze.
Prishja e bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës dhe mosgjetja e gjuhës së përbashkët për çështjet e rëndësishme është thjesht e papranueshme për një anëtar të denjë të NATO-s dhe për një vend që synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.
Presidenti Joe Biden ka deklaruar se nxitja e demokracisë do të jetë një përparësi kryesore për administratën e tij. Qendrimet dhe veprimet e qeerisë dhe tëopozitës ka të ngjarë të bëhen objekt i një vëzhgimi të shtuar nga ana e Shteteve të Bashkuara. Vështirë që administrata amerikane të mbetet e pavëmendshme ndaj politikave dhe veprimeve të cilat minojnë normat, vlerat dhe institucionet demokratike.
Në vitin 2016, forcat kryesore politike shqiptare pranuan që sistemi i drejtësisë ishte jofunksional dhe ranë dakord për një reformim thelbësor të këtij sistemi, më rrënjësori në ndonjë vend ish-komunist. Por shqiptarët kurrë nuk u dolën për zot reformave. Ata bënë përpjekje të përbashkëta për të minuar, manipuluar dhe zvarritur ndryshimet për sa kohë të ishte e mundur.
Shqipëria po hyn në vitin e pestë të këtyre reformave. Ndërsa skalionet më të larta të sistemit gjyqësor janë hequr si rezultat i procesit të verifikimit, zbatimi i reformave ka qenë i ngadaltë dhe selektiv, duke çuar praktikisht në një kolaps institucional dhe duke kërcënuar parimin themelor të sistemit juridik – qasjen tek drejtësia. Mund të thuhet se operacioni kirurgjikal i drejtësisë mbase ka qenë i suksesshëm, por pacienti mbetet në komë.
Shqipëria ka nevojë për një përmbyllje. Kostoja e dështimit për të zbatuar plotësisht këto reforma themelore është thjesht tepër e madhe për shoqërinë shqiptare. Shtetet e Bashkuara u kanë kushtuar burime të mëdha këtyre përpjekjeve të reformës dhe presin që Shqipëria të bëjë pjesën e vet.
Zgjedhjet e prillit 2021 janë një provë për pjekurinë demokratike të Shqipërisë dhe për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ky është një moment historik dhe dështimi mund të ketë me pasoja të rënda.
Edhe pse hapja e fushatës është shoqëruar me një retorikë të ashpër, shqiptarët kanë një mundësi për ta kthyer vendin e tyre në një rrugë të qartë demokratike. Nëse zgjedhjet janë të besueshme, me rezultate të pranueshme nga lojtarët kryesorë, ato do të hapnin mundësi të reja dhe do të shpalosnin potencialin e madh që kanë shqiptarët.
Përkundrazi, një proces zgjedhor sërish me të meta dhe i manipuluar ka të ngjarë të pengojë stabilitetin politik të vendit, të sinjalizojë një përkeqësim të mëtejshëm të praktikave demokratike dhe të ndërlikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian. Pamundësia për të mbajtur zgjedhje të pastra do të forconte dyshimet për besueshmërinë dhe angazhimet demokratike të elitave shqiptare.
Por vetëm zgjedhjet nuk janë shpëtimi për sfidat e mëdha të Shqipërisë,edhe nëse ato mbahen në përputhje të plotë me standardet më të larta ndërkombëtare. Periudha paszgjedhore duhet të pasohet nga një konsensus patriotik, një marrëveshje ndërpartiake veprimesh konkrete dhe të qëndrueshme për të trajtuar deficitin demokratik të Shqipërisë, për të kapërcyer hendekun e tanishëm politik dhe për të përcaktuar një rrugë të qartë të ecjes përpara.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë të drejtpërdrejta në mbështetjen e tyre për demokracinë e Shqipërisë dhe në kritikat ndaj dështimeve demokratike. Duke pasur parasysh marrëdhëniet e veçanta midis dy vendeve dhe mendimin tepër të favorshëm që shqiptarët kanë për Amerikën, asnjë vend tjetër më mirë se sa Shtetet e Bashkuara nuk do të mund ta ndihmonte Shqipërinë në rrugën e saj demokratike. Amerika ka fuqinë, besueshmërinë dhe aftësinë për të ushtruar ndikim pozitiv dhe për të ndihmuar shqiptarët të krijojnë një të ardhme që ushqen një proces politikgjithëpërfshirës, sundimin e ligjit dhe një qeverisje efektive dhe të përgjegjshme.
Por edhe pse mbështetja amerikane mbetet me rëndësi kritike, shtysa për ndryshim të vërtetë duhet të vijë nga brenda. Në fund të fundit, varet nga udhëheqësit shqiptarë se sa do të jenë në gjendje të marrin përgjegjësinë dhe të zhvillojnë një strategji të qartë për të ndërtuar një demokraci funksionale, për të cilën kombi shqiptar ka ëndërruar aq shumë.