Agjencia e Barnave e Bashkimit Evropian (EMA), miratoi me kusht vaksinën kundër COVID-19-s me një dozë të vetme të prodhuar nga kompania amerikane Johnson & Johnson.

Komisionerja evropiane e Shëndetësisë Stella Kyriakides tha të enjten se shumë shpejt do të jepej dhe autorizimi përfundimtar për vaksinën.

Në llogarinë e saj në Twitter, zonja Kyriakides shkruante se “ky shënon një hap tjetër të rëndësishëm drejt sigurimit që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të marrin vaksina të sigurta dhe efektive sa më shpejt të jetë e mundur”.

Vaksina e re e miratuar mund ta ndihmojë Bashkimin Evropian të përshpejtojë fushatën e ngadaltë të vaksinimit brenda bllokut dhe të rrisë furnizimet me vaksina.

Vaksina e kompanisë J&J është e katërta që miratohet për përdorim brenda vendeve të BE-së pas dhënies së autorizimit për vaksinën e Pfizer/BioNTech, atë të Universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me AstraZeneca-n, si dhe për vaksinën e kompanisë Moderna.

EMA e rekomandon përdorimin e vaksinës së kompanisë J&J për personat 18 vjeç e lart.