Shqiptarët tallen e bëjnë humor me pushtuesit italianë, por gjermanët i trajtojnë me seriozitet

Nga Çapajev GJOKUTAJ

Shqiptarët tallen e bëjnë humor me pushtuesit italianë, por gjermanët i trajtojnë me seriozitet. Më bëri përshtypje ky konstatim i Bernd Fischer në një intervistë televizive.

Historiani i njohur shtonte se ky trajtim të surprizon. Gjermanët kanë qenë shumë të rreptë, kanë bërë më tepër shkatërrime e vrasje.

Kur isha fëmijë, të rriturit flisnin shpesh për luftën dhe kishin thuajse po këtë qasje: një lloj vlerësimi për rreptësinë e gjermanëve, vlerësim që ngjante sikur e zbehte disi urejtjen, dhe tone gjithsesi komike e deri në përçmuese për italianët.

Më pas këtë diferencë do ta vija re sadokudo edhe në letërsinë dhe sidomos në filmat e kohës.

Më se një herë e kam diskutuar me të njohur, madje edhe në auditor, kur e ka prurë rasti. Interpretimet kanë qenë nga më të ndryshmet. Po sjell vetëm disa prej tyre.

2.

Arsyen kryesore të kësaj diference Fischer e kërkon në faktin që nazistët nuk e shpallën veten pushtues të Shqipërisë, u hoqën thjesht si kalimtarë për nevoja të luftës.

Nuk është punë politikash, thonë të tjerë, por punë distancash, gjeografike e historike. Italianët i kemi fqinj dhe në folklorin e të gjithë popujve fqinji është burim humori: dhe qullac, dhe budalla, dhe derdemen.

Edhe ne kemi ndjekur këtë praktikë, kemi projektuar tek italianët tjetrin, breshkamadhin, makaronaxhiun, frikacakun që bërtet mama mia etj. Gjermanët kanë qenë më të largët, më diskretë, më të prerë e më seriozë.

S’është problem distancash, por punë këndvështrimi, thonë të tjerë. Të parët tanë i kanë parë e vlerësuar të dyja palët, dhe gjermanët dhe italianët, nga pozita patriarkale. Gjermanët ishin më pranë përfytyrimit tradicional për burrin, autoritetin. Dhe doemos kandari patriarkal do t’i favorizonte në këtë apo atë masë.

Por përgjigjen më interesante ma ka dhenë një sociolog brazilian. Gjatë një aktiviteti në Berlin, rasti e pruri të darkonim përbri.

Konceptet ‘italian’ dhe ‘gjerman’, më tha, janë shumë të gjera dhe të larmishme. Merr psh galerinë e italianëve që ka krijuar Dantja dhe galerinë e gjermanëve të Gëtes. Janë dy universe humane pa fund e pa anë. Vështirë se mund t’i kufizosh në boshtin: ata seriozë – këta komikë.

3.

Parë kështu stereotipet ‘pushtues italian’ vs ‘pushtues gjerman’ flasin më shumë për ne, të pushtuarit, se sa për pushtuesit.

Dhe vërtet, si guxojmë të bëjmë thjeshtëzime të tilla për popuj të tërë dhe pastaj t’i përdorim pa teklif. Kjo prirje vështirë se buron nga realiteti i gjerave. Më shumë mbase vjen nga kufizime që i kemi brenda vetes. Kufizime herë në rrafshin e njohjes, të analizës dhe të sintezës dhe herë në rrafsh psikologjik.

Vështirë të thuash psh se jemi shqiptarë nga që shquajmë për trimëri e besë, trafik e vrasje etj. etj. Kur flasim për bashkëkombas mbase lidhjet duhet t’i kërkojmë jo në virtyte, vese e mitologji, por në faktin që ndajmë të njëjtin territor, të njëjtën gjuhë e histori.

Edhe në rrafsh funksional, mbase dalim më të fituar kur personalitetin, shpirtin, moralitetin etj. i shohim kryesisht si përgjegjësi dhe meritë individuale.

( Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’ )