Çadrat e testimit për Covid-19 kanë filluar të shfaqen në kryeqytetin francez si hapësira shtesë të farmacive lokale që u japin njerëzve mundësinë për të bërë testin e koronavirusit falas. Kjo ka nxitur shumë banorë të Parisit që ta bëjnë testin e shpejtë për koronavirusin.
Çadrat e bardha tani janë bërë objekte të zakonshme në Paris.
Brenda tyre çdokush mund të marrë një test falas për koronavirusin pa patur nevoj për rezervim paraprak.
“Çadrat u ngritën për të shmangur turmat brenda farmacisë nga njerëzit që vijnë për të bërë testin dhe për të shmangur përzierjen e njerëzve me shëndet të mirë që vijnë për të marrë ilaçet e tyre dhe atyre që vijnë për të bërë testin e koronavirusit dhe mund të rezultojnë pozitiv”, thotë farmacisti Jean Taieb.
Kjo iniciativë është bërë e mundur sepse tani janë të disponueshme teste më të shpejta për Covid-19.
Zakonisht rezultatet e testit të shpejtë mund të merren brenda 15 minutash, një kohë shumë e shkurtër krahasuar me atë të testeve të tjera të koronavirusit.
“Rastisa në rrugë dhe mendoj se është e lehtë të bëhet testi për koronavirusin. Kjo ofron një qasje të lehtë për testet”, thotë stjuardesja Stephanie Chaffard.
“Është një iniciativë e mirë nga qeveria që ofron testime kaq të shpejta për koronavirusin. Ata thanë se ka vetëm 1 për qind shans që rezultati i testit të mos jetë i saktë, kështu që ai duket i besueshëm dhe të ofron një lloj qetësie”, thotë studentja Morgane Bourdeau.
Patricia Afzal, një banore e Parisit, thotë se megjithëse nuk kishte në plan ta bënte testin sepse kishte simptoma të lehta, ajo e bëri atë pasi po kalonte afër çadrës ku po bëheshin testimet.
“Kam patur simptoma të lehta në dy ditët e fundit, pak ethe dhe një dhimbje koke. Jam e sigurt se është diçka tjetër, por meqë ndodhesha këtu dhe duhen vetëm 15 minuta për testin, vendosa ta bëja atë”, thotë ajo.
Nnë Francë deri më tani janë shënuar mbi 3.2 milionë raste me Covid-19, duke e bërë atë vendin e gjashtë në botë për nga numri i infeksioneve. Më shumë se 76 mijë francezë të tjerë kanë humbur jetën nga koronavirusi.