Pas një karantine dy-javore, puna e vërtetë mund të fillojë. Ndoshta.

Një ekip studiuesish i Organizatës Botërore të Shëndetësisë – (OBSH) ka dalë nga hoteli i tyre për herë të parë që nga mbërritja në qytetin qendror të Kinës, Vuhan, për të filluar kërkimin e të dhënave për origjinën e pandemisë COVID-19.

Vizita është e mbuluar me fshehtësi: OBSH-ja shkroi në Tëitter të enjten disa detaje se çfarë do të bëjë, por nuk dihet se sa do t’u japë Kina studiuesve qasje në vendet që duan t’i vizitojnë dhe njerëzit me të cilët duan të flasin.

Pse është ky ekip në Kinë?

Shkencëtarët shpresojnë që informacionet mbi rastet më të hershme të njohura të koronavirusit të ri – i cili u identifikua për herë të parë në Vuhan – do t’i ndihmojë ata të kuptojnë më mirë se nga erdhi, dhe të parandalojë pandemitë e ngjashme në të ardhmen.

Studiuesit në të gjithë botën janë shumë të interesuar që të kenë qasje te mostrat e para të marra nga marketi i ushqimeve të detit, Huanan, ku për herë të parë shpërtheu virusi.

Studiuesit, po ashtu, janë shumë të interesuar që të kenë qasje në të dhënat e spitalit në Vuhan.

Në disa postime në rrjete sociale, OBSH-ja tha se ekipi do të takohej me shkencëtarët kinezë të premten para se të fillonte vizitat në Vuhan dhe rrethinë. OBSH-ja tha se ekipi planifikon që t’i vizitojë spitalet, laboratorët dhe tregjet, duke përfshirë Institutin e Virologjisë në Vuhan, tregun Huanan dhe laboratorin e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve, po ashtu në Vuhan.

OBSH-ja tha se ekipi do të flasë me stafin që u përball me rastet e para të prekura nga COVID-19 si dhe me disa nga pacientët e parë.

Një laborator në Institutin e Virologjisë në Vuhan, që u ndërtua pas pandemisë së njohur si “SARS” në vitin 2003, mban një arkiv të gjerë të sekuencave gjenetike të koronavirusëve të lakuriqëve.

Zyrtarët amerikanë të administratës së mëparshme të drejtuar nga ish-presidenti Donald Trump, pretenduan pa ofruar prova se virusi mund të kishte dalë nga ky institut.

Ekspertët thonë se nuk kishte gjasa që koronavirusi i ri të kishte dalë nga laboratori në Vuhan dhe shumica dërmuese thonë që analiza e gjenomit të ri të koronavirusit përjashton mundësinë që ai të ishte krijuar nga njerëzit.

Tregu dhe vendet e tjera ku rastet e hershme u shfaqën, mbeten të rëndësishme sepse virusi zhvillohet vazhdimisht, siç tregojnë variantet e reja të identifikuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe Afrikën e Jugut.

Çfarë shpresojnë të kuptojnë hulumtuesit?

Vuhani është vendi ku rastet me COVID-19 u zbuluan për herë të parë, por është shumë e mundur që virusi të ketë ardhur nga dikur tjetër në këtë qytet të madh industrial, me 11 milionë banorë.

Renditja gjenetike tregon se koronavirusi i ri ka filluar në lakuriqët e natës dhe ka të ngjarë të kishte kaluar në një kafshë tjetër para se t’i infektonte njerëzit.

Virusi më i afërt që është i njohur më atë që e shkakton COVID-19 është gjetur në lakuriqët e natës në një minierë gati 1.600 kilometra në jugperëndim të Vuhanit, afër kufirit të Kinës me Laosin, Mianmarin dhe Vietnamin. Agjencia e lajmeve Associated Press nuk u lejua që ta vizitojë këtë minierë.

Njerëzit filluan të sëmureshin në Vuhan në muajin dhjetor të vitit 2019 dhe shumë prej tyre kishin lidhje me tregun e produkteve të detit.

Shkencëtarët fillimisht dyshuan se virusi vinte nga kafshët e egra të shitura në treg, duke e shtyrë Kinën të mbyllte tregtinë me kafshët e botës së egër.

Por, hulumtimet e mëvonshme të rasteve të para të infektuara e sfiduan seriozisht këtë teori.

Qendra Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tha se mostrat e marra nga tregu, treguan se kishte të ngjarë se virusi ishte përhapur, por jo në vendin ku u shfaq.

Suksesi dhe besueshmëria e ekipit të OBSH-së për të çuar më tej të vërtetën e COVID-19 mund të varet pjesërisht nga qasja në ato mostra.

Studimi i gjeneve të rasteve të më hershme në Vuhan mund të sigurojë të dhëna se si kalonte virusi nga lakuriqët e natës te njerëzit dhe nëse ishte përmes një gjitari tjetër, duke përfshirë disa lloj minjsh.

Me çfarë pengesa përballet ekipi?

Pikëpyetja më e madhe është ajo nëse Kina do t’u lejojë studiuesve të shohin dhe të bëjnë ato për të cilat kanë nevojë. Partia Komuniste në pushtet është e shqetësuar se kërkimi mund të hedhë dritë mbi trajtimin e virusit e që mund të krijojë hapësirë për kritika ndërkombëtare – dhe madje edhe kërkesat për kompensim financiar nëse zbulohet se ka qenë neglizhencë në menaxhim.

Kina ka shuar raporte të pavarura për shpërthimin e virusit në këtë shtet si dhe ka publikuar pak informacion mbi hulumtimet e saj për origjinën e virusit.

Një hetim i agjencisë së lajmeve AP, zbuloi se qeveria kineze ka kontrolluar në mënyrë rigoroze të gjitha kërkimet e lidhura me COVID-19, dhe ua ka ndaluar studiuesve të flasin për media.

Një tjetër hetim i AP-së zbuloi se zyrtarët e OBSH-së ankoheshin privatisht se Kina kishte penguar shpërndarjen e informacioneve kritike në lidhje me shpërthimin, duke përfshirë sekuencën gjenetike të virusit të ri, edhe kur agjencia shëndetësore e OKB-së lavdëroi publikisht Kinën për atë që e quajti një përgjigje të shpejtë.

Kina, e tronditur nga akuzat se e lejoi përhapjen e sëmundjes, ka sugjeruar që virusi mund të ketë ardhur nga jashtë. Një zëdhënës i qeverisë ka thënë se gjurmimi i origjinës do të kërkojë punë përtej kufijve të Kinës, duke përfshirë edhe habitatet e lakuriqëve në vendet e Azisë Juglindore. Një ekspert në ekipin e OBSH-së ka sugjeruar të njëjtën gjë dhe kjo është një mundësi që studiuesit po e hulumtojnë.

Kur do t’i kuptojmë përgjigjet?

Kërkimi për origjinën e COVID-19 ka të ngjarë të zgjasë me vite. U desh më shumë se një dekadë për të gjetur origjinën e SARS-it dhe origjina e Ebolas, e identifikuar për herë të parë në vitet 1970, mbetet e panjohur. Por, nëse dihet se nga erdhi virusi, mund të ndihmojë në parandalimin e shpërthimeve të viruseve në të ardhmen që kalojnë te njerëzit nga kafshët e egra./REL