Departamenti i Tregtisë bëri të ditur të enjten se ekonomia amerikane u ngadalësua dukshëm, por nuk u rrënua në tre muajt e fundit të vitit 2020. Ky përfundim vjen edhe pse mijëra biznese janë detyruar të kufizojnë operacionet e tyre për shkak të pandemisë së koronavirusit, që vazhdon të përhapet me ritme shpejta.
Ekonomia amerikane, më e madhja në botë, u rrit me 1 për qind në periudhën tetor-dhjetor, nga një përparim i fuqishëm prej 7.5 për qind në tre muajt pararendës.
Me rënien e mprehtë ekonomike të regjistruar në kulmin e pandemisë në fillim të vitit, ekonomia amerikane ra në 3.5 për qind në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, njoftoi Departamenti i Tregtisë.
Megjithatë rënia gjatë vitit 2020 nuk ishte aq e fortë sa kishin parashikuar disa ekspertë me shfaqjen për herë të parë të virusit në SHBA një vit më parë. Tashmë ekonomistët po parashikojnë një rimëkëmbje përfundimtare në 2021, veçanërisht në gjysmën e dytë të vitit, pasi miliona amerikanë të jenë vaksinuar.
Disa ekspertë besojnë se përmirësimi ekonomik mund të ketë filluar në janar me injektimin në ekonomi të financimeve, pjesë e paketës së ndihmës prej 900 miliardë dollarësh nënshkruar nga ish-Presidenti Donald Trump muajin e kaluar.
Aktualisht presidenti i ri Joe Biden po bën presion për sasi tjetër ndihme. Ai kërkon miratimin e një pakete prej 1.9 trilionë dollarësh e cila parashikon rritjen e kompensimit në rast papunësie deri në shtator si dhe ndihmë financiare në vlerën e 1,400 dollarëve për amerikanët, bazuar në të ardhurat e tyre. Kongresi ende nuk ka rënë dakord mbi paketën.
Javën e kaluar aplikimet për të përfituar pagesën e papunësisë ishin në nivele të larta, por më të ulta se një javë më parë, bëri të ditur të enjten Departamenti i Punës.
Zyrtarët thanë se javën e kaluar 847 mijë vetë aplikuan për të marrë pagesën e papunësisë, ose 67 mijë më pak krahasuar me javën e kaluar.
Por ndërsa Presidenti Biden ka filluar javën e tij të dytë në detyrë, ekonomia amerikane përballet ende me probleme. Me dhjetëra mijëra njerëz infektohen çdo ditë dhe punëdhënësit po përballen me urdhra nga zyrtarë shtetërorë e komunalë për të kufizuar orët e punës ose për t’u mbyllur, në një përpjekje për të parandaluar përhapja e virusit.
Qeveria raportoi në fillim të këtij muaji se punëdhënësit amerikanë kishin shkurtuar 140,000 vende pune në dhjetor.
Qeveria federale po u jep një pagesë shtesë prej 300 dollarësh në javë të papunëve krahas përfitimit që marrin nga shteti, një pagesë që është parashikuar të zgjasë deri në mars. Paketa e administratës Biden synon ta rrisë atë në 400 dollarë në javë deri në shtator.
Zoti Biden gëzon një shumicë të ngushtë si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, çka mund ta lehtësonte ndoshta miratimin e planit të tij të ndihmës, por vetëm nëse demokratët votojnë në bllok ose nëse presidenti ia del të bindë disa ligjvënës republikanë që ta mbështesin atë.
U deshën muaj, që zoti Trump dhe ligjvënësit në Kongres të arrinin një marrëveshje mbi sasinë e ndihmës prej 900 miliardë dollarësh për koronavirusin.
Rreth 10 milionë nga gjithsej 22 milionë amerikanë që humbën punën vazhdojnë të jenë të papunë në SHBA. Shkalla e papunësisë mbeti e qëndrueshme në 6.7 për qind në dhjetor. Shumë ekonomistë thonë se shifra mund të mbetet e lartë për disa muaj.