Nga Faruk Tasholi
Kohë më parë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani,dekoroi kompozitorin Kolë Susaj me Titullin “Mjeshtër i Madh”.
Ky titull nderi nga Presidenti i shtetit shqiptar, nuk nderoi vetëm kompozitorin Kolë Susaj, i cili brenda disa dhjetëvetshave provoi forcen e tij krijues me sukses ne shumë zhanre muzikore, por nderoi njëkohësisht edhe shumë bashkëpunëtorë të artistit, si poetë, këngëtarë, orkestarntë dhe dëgjues të flaktëtë të oazës së tij muzikore. Mbit të gjitha, ky nderim shtetëror, nderoi shtetin tjetër, Kosovën, mbi të cilin me dekada kanë kumbuar fuqishëm tingujt e kompozitorit Kolë Susaj.
Këta tinguj harmonikë, përmes të cilëve shpërthyen këngët epike të natyrës së një krahine të ashpër dhe madhështore si është pjesa veriore e maleve shqiptare, e mbajtën gjallë dhe zgjuar kombëtarisht shqiptarin e pjesës tjetër të shtrirjes kombëtare, të asaj ane që është Kosova.
Këngët që bëri Kolë Susaj, të përcjellura nga zërii këngëtarëve Gëzim Nika, Fatmira Breqani,Liri Rasha në fillim e më vonë edhe Shkurte Fejza, Shaqir Cervadiku,Fanushe Ahmetaj, Mera Zymeri, Violeta Kukaj etj., e forcuan shpirtin atdhetar të shqiptarit të robëruar në Kosovë, i cili përmes këtyre këngëve, shpirtërisht iu kthye historisë kombëtare dhe projektoi fuqinë e ëndrrës për liri.Vetëm kënga „N’Dardani bjen një tupan“ e shkruar nga poeti Hamit Aliaj, e cila u ndalua publikisht nga regjiminë Kosovë, ushtroi aq ndikim në vitet tetëdhjetë, madje më shumë se disa libra shkollorë. Zëri i Dardanisë së lashtë kërkonte rikthimin e lirisë në të njëjtin truall me emrin Kosovë.Ky ishte një krijim i vogël poetiko-muzikor por që u bë një vepër e madhe.
Tingujt e kësaj këngë, kur po merrte udhë projekti i lirisë së Kosovës, u zgjodhën sigël e emisoonit shqip të radios „Zëri i Amerikës“ nga drejtori Elez Biberaj. Me këtë sigël u mësua veshi i shqiptarit për pesëmbëdhjetë vite,duke pritur me shpresë lajme të mira, triumfaliste. Pas këtyre tingujve, rrallëkush e ka ditur se ka qëndruar kompozitori i madh Kolë Susaj,i cili bëri këngët që nga vargjet e Naim Frashërit , nga vargjet e letërsisë gojore dhe deri te poetët bashkëkohës, si janë Hamit Aliaj e Gjok Beci të shtrirë mbi njëqind këngë.
Kam pasur nderin në këtë jetë që edhe disa vargje nga unë të bëhen pjesë e krijimtarisë së Kolë Susajt, ani që largësia fizike ka bërë që ende të mos takohemi njëri me tjetrin.
Edhe pas momentit të lirisë së Kosovës, veprimtaria e Kolë Susajt sërish u shtri në Kosovë dhe për Kosovën, por në një dritë të re. Ndërkaq pjesa tjetër në vitet tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë, në fushën e krijimtarisë, mbetet lidhja më e madhe dhe më e fortë shpirtërore dhe kombëtare në relacionin Kosova – Kolë Susaj,me një ndikim shumë të madh në rrjedhat kulturore dhe kombëtare që shërbeu dhe mbeti emblemë e qëndrueshme.
Veprimtaria e tij muzikore është një nga gurët e pavarësisë së Kosovës.
Pa muzikën e Kolë Susajt e zbehtë do të ishte edhe fuqia shpirtërore e kosovarit të tridhjetë viteve tw fundit.
Muzika e tij është vetë Kosova shpirtërore.
Një nder të ngjashëm ky artist e meriton edhe nga shteti i Kosovës.