Misionit i Forcave Paqeruajtëse në Kosovë (KFOR) ka mirëpritur kontigjentin e 27-të nga Maqedonia e Veriut prej 44 trupave që do të shërbejnë në Komandën Rajonale të KFOR-it (Perëndim) me qendër në qytetin e Pejës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç ka njoftuar KFOR-i nëpërmjet një njoftimi për media, bëhet fjalë për 44 trupa nga kazermat “Kuzman Josifovski – Pitu” në Tetovë, të udhëhequr nga kapiteni Hristijan Dimçevski, që do të shërbejnë në Kosovë “për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999”.
“Detyrat e tyre do të përfshijnë patrullimin, sigurimin e Manastirit të Deçanit dhe ruajtjen e kampit ‘Villaggio Italia’ së bashku me kolegët e tyre italianë dhe moldavë. Elementë të tjerë të kontigjentit do të punojnë si oficerë të shtabit në Shtabin qendror të KFOR-it në Prishtinë”, njofton KFOR-i.
Në një ceremoni të mbajtur në Shtabin e Komandës Rajonale Perëndim, ku u ngrit flamuri i Maqedonisë së Veriut, mori pjesë edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral majori Michele Risi.
Gjenerali Risi u tha trupave të sapo vendosura se “përpjekja e tyre do të ndihmojë në rritjen e lidhjeve dhe forcimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe 26 kombeve të tjera që aktualisht shërbejnë me misionin e udhëhequr nga NATO, KFOR”.
“Kontributi i pjesëtarëve të Ushtrisë në misionin e KFOR-it në Kosovë do të vazhdojë të rritet gjatë vitit 2021. Tashmë në rotacionin e gjashtë muajve të ardhshëm, plani është që të rritet numri i trupave të ofruara në mbi 60”, tha ai.