Te dashur miq,
Me poshte gjeni shkrimin tim “Kthimi i Rusisë në vendin e krimit”, ne te cilin analizoj qendrimet pro Putinit te presidentit amerikan Donald Tramp, duke arritur ne perfundimin se do te ishte ne favor te interesave tona shteterore e kombetare qe presidenti i ardhshem i SHBA te jete Xho Bajdeni.
Para pak ditësh, agjencia e lajmeve Rojters njoftoi se Moska planifikon të hapë në Beograd një zyrë të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, me qëllim që të nxisë thellimin e bashkëpunimit ushtarak midis Federatës Ruse dhe Serbisë.
Gjykuar nga fakti se një fuqi e madhe si Rusia, e cila i ka duart e përlyera me gjak në Ballkan, kishte vendosur të hapë një zyrë në Serbi për t`u marrë, jo me ҫështje dosido, por me ato ushtarake, është pritur që, të paktën shqiptarët, ndaj të cilëve grushti rus ka qenë i pamëshirshëm, të reagojnë lidhur me këtë hap të kundërshtarit të tyre historik. Por kjo nuk ndodhi. As Prishtina dhe as Tirana zyrtare nuk e morën mundimin të shpreheshin, qoftë edhe me një deklaratë të shkurtër për shtyp.
Duke qenë se zyra ruse planifikohet të hapet në Serbi, një vend fqinj me shqiptarët, i njohur për lidhjet e veҫanta me Moskën, pyetjet që do të duhej të shtroheshin nga politika dhe diplomacia shqiptare do të duhej të ishin: Cili është qëllimi i Kremlinit për hapjen e kësaj zyre? A përbën ky hap një kërcënim për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe më gjerë, për stabilitetin dhe sigurinë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës, pra të krejt rajonit të Ballkanit?
Në gjykimin tim, nuk ka asnjë dyshim se kemi të bëjmë me një kërcënim serioz ndaj Kosovës dhe rajonit. Justifikimi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë se përfaqësuesit e kësaj zyre do të kufizohen vetëm me vizita në divizionet ushtarake që përdorin armë dhe pajisje ruse, nuk qëndron. Për ҫfarë kufizimi mund të bëhet fjalë, kur bashkëpunimi ushtarako-teknik i Beogradit me Moskën ka përfshirё të gjitha strukturat e ushtrisë dhe policisë serbe?
Ka vite që Serbia është furnizuar dhe po vazhdon të furnizohet me bombardues MIG-29, helikopterë luftarakë MI-17B dhe MI-35 M, me tanke dhe mjete të tjera të blinduara. Ka vite që Serbia merr pjesë në strëvitjet “vëllazëria sllave” në Rusi dhe Biellorusi, por edhe në territorin serb, ku nuk ka munguar të demonstrohet brezi i fundit i prodhimit rus të mbrojtjes antiraketë.
Problemet e bashkëpunimit tekniko-ushtarak janë ndjekur zyrtarisht nga ministritë e linjës dhe atashetë ushtarakë të dy vendeve dhe, në ndonjë rast, për mbarëvajtjen e tyre, sipas interesave të Kremlinit, janë kujdesur edhe shërbimet e Drejtorisë së Zbulimit Ushtarak (e njohur si GRU) të Ministrisë së Mbrojtjes së Federatës Ruse, siҫ ndodhi vitin e kaluar.
Po atëherë, për ҫfarë i duhet kjo zyrë Rusisë?
Për mendimin tim, ajo nuk është thjesht një zyrë, por një mision ushtarak i Rusisë në Ballkan, i cili ka për qëllim realizimin e objektivave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Moskës në rajonin tonë. Ky mision përbën një sfidë për NATO-n, për SHBA-në dhe BE-në dhe dëshmon se sa larg ka vajtur Rusia në kryeneҫësinë e saj për të përdorur fuqinë ushtarake nё realizimin e qëllimeve politiko-strategjike në një zonë kaq të ndjeshme, si Ballkani.
Për shqiptarët, vendosja e misionit ushtarak rus në Beograd simbolizon kthimin e Rusisë në vendin e krimit, jo për të kujtuar veprimin makabër, siҫ bëjnë, për qëllime perverse, grabitësit dhe përdhunuesit ordinerë, por për të përsëritur krimin, në kurriz të popujve ballkanikë, kryesisht, të shqiptarëve.
Tërheq vëmendjen fakti që vendimi për fillimin e punës së misionit ushtarak rus në Beograd u mor vetëm pak kohë pas “marrëveshjes historike” të 4 shtatorit, në Uashington, për të cilën u tha se, midis të tjerash, synonte shkëputjen e Serbisë nga Rusia dhe dhënien fund të ndikimit të pranisë së saj në Ballkan.
Një ndër pikat e kësaj “marrëveshjeje” ishte edhe “diversifikimi i burimeve energjitike”, që nënkupton angazhimin e Beogradit për të bërë përpjekje në kërkim të burimeve të tjera të energjisë, për të mos mbetur i varur nga Moska, në këtë fushë.
Po ҫfarë thonë faktet e periudhës së shkurtër dymujore, pas zotimeve të Uashingtonit? A është pakësuar apo, përkundrazi, është shtuar prania dhe aktivizimi i Rusisë në rajonin tonë?
Me t`u kthyer në Beograd, në një bisedë telefonike me shefin e diplomacisë ruse, S. Lavrov, presidenti Vuҫiҫ e siguroi Moskën se kursi i Serbisë ndaj saj mbetet i pandryshuar. Në takimin që pati me ambasadorin rus në Beograd, Harҫenko, Vuҫiҫi i premtoi atij se segmenti i gazsjellësit, “Rrjedha Turke”, që kalon nëpër Serbi, do të përfundojë në afatin e caktuar. Ky i fundit, në një shkrim autorial në revistën, “Napredak”, me 18.10.2020, e garantoi Beogradin se Rusia është e vendosur të vazhdojë projektet infrastrukturore dhe energjiktike për të cilat është rënë dakord dhe se po shihen mundësitë e bashkëpunimit ruso-serb në shfrytëzimin paqësor të energjisë bërthamore dhe në fushën e dixhitalizimit. Nga ana e tij, ambasadori serb në Moskë, Miroslav Lazanski, deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë të blejë gazin më të lirë të ofruar në treg, që, sipas tij, është ai rus. Në më se një rast, gjatë kësaj periudhe, Beogradi zyrtar ka përsëritur se do t`i përmbahet angazhimit për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së, apo atyre amerikane, kundër Rusisë.
Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, me 21.10.2020, përfaqësuesi i Rusisë, V. Nebenzia, ashtu si më parë, e përshkroi me ngjyrat më të zeza situatën në “Krahinën Autonome të Serbisë”, ku, sipas tij, problemet nuk zgjidhen, por akumulohen; ku vazhdojnë aktet e grabitjes dhe të vandalizimit të pronave të serbëve e të Kishës Ortodokse Serbe (KOS); ku vazhdojnë përdhosjet e varrezave e të vendeve të shenjta; ku të zhvendosurit dhe refugjatët e kanë të pamundur të kthehen; ku rekrutohen terroristë të të gjitha llojeve. Dhe për t`i vënë kapak fjalimit të tij, ai kërkoi krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me kompetenca ekzekutive, që do të thotë minim i rendit kushtetues të Kosovës.
Në fjalën e saj, ambasadorja amerikane Ҫ. N. Ҫalet nuk e gjeti me vend të distancohet nga të pavërtetat e kolegut të saj rus kundër Kosovës, por u përqëndrua tek “marrëveshja” e 4 shtatorit dhe rëndësia e saj “historike”.
Në gjykimin tim, problemi i vërtetë nuk qëndron tek ambasadorët, as tek Vuҫiҫi apo tek Putini. Është e qartë se presidenti rus nuk dëshiron të largohet nga Ballkani, sepse e konsideron atë zonë të interesave të Moskës dhe se Vuҫiҫi bën lojën e tij, duke qëndruar në dy a më shumë karrige.
Problemi i vërtetë është vetё presidenti amerikan, Donald Tramp. Që kur erdhi në pushtet, para katër vjetësh, ai bëri gabimin e rëndë strategjik duke e hequr Moskën nga lista e kërcënimeve ndaj interesave të sigurisë kombëtare të Amerikës dhe aleatëve të saj, duke zhvendosur vëmendjen nga Rusia, në vende dhe zona të tjera të botës. Kjo është një ndër arsyet kryesore që e ҫoi Trampin në deklaratat e pamenduara për NATO-n, si një “organizatë e vjetëruar”. Qëndrimi i presidentit amerikan ishte si një dhuratë për presidentin Putin, i cili ka vite që përsërit mantrën e tij se Rusia është një “kërcënim imagjinar” se në fakt ajo nuk përbën kërcënim për askënd dhe se, përkundrazi, është NATO ajo që kërcënon interesat e Rusisë.
Duke hequr Rusinë nga lista e kërcënimeve, Donald Trampi, shfaqi një “dashamirësi shqetësuese” ndaj presidentit Vladimir Putin, të cilin e quajti një udhëheqës të madh, me të cilin mund të merret vesh për “ujdi të mëdha”. Ai e justifikoi aneksimin e Krimesë me “faktin” se dikur ajo kishte qenë pjesë e Rusisë. Trampi arriti deri aty sa të justifikojë pushtimin sovjetik të Afganistanit, siҫ u shpreh ai, “për të luftuar terrorizmin”. Pavarësisht kundërshtimit të Britanisë së Madhe, të Kanadasë, etj., Trampi e ftoi Rusinë të bëhet pjesë e G7. Sa herë që Putini ëshët kritikuar nga demokracitë perëndimore për politikën e tij agresive, shkeljen e të drejtave të njreriut, vrasjen e kundërshtarëve politikë, etj., Trampi, ose i ka injoruar kritikat ndaj tij, ose e ka marrë hapur në mbrojtje atë. Kështu po vepron edhe tani, duke injoruar akuzat që po i bëhen Putinit për helmimin e kundërshtarit të tij kryesor, A. Navalni. Gjithashtu ai injoroi informacionet për vrasjen e ushtarëve amerikanë nga talebanët, me para dhe porosi të Moskës. Duket se në marrëdhëniet e tij me presidentin rus, Trampi niset nga parimi i prezumimit të përjetshëm të pafajësisë së Putinit, pavarësisht dëshmive të pafund për të kundërtën.
“Dashamirësia shqetësuese” e Trampit ndaj Putinit nuk kufizohet vetëm me fjalë e deklarata. Në gjashtëmujorin e parë 2020, SHBA importuan 9.1 milionë tonë naftë nga Rusia, ose 2.3 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Që do të thotë se presidenti Tramp i kontribuon mbajtjes në këmbë të regjimit putinist me petrodollarë amerikanë.
Se problemi i vërtetë është Donald Trampi, u dëshmua edhe gjatë fushatës presidenciale aktuale. Në disa takime me zgjedhësit e tij, Trampi foli për Kosovën si për një vend musliman të Lindjes së Mesme. Në njoftimet mbi organizimin e takimeve me “komunitete të Lindjes së Mesme”, në to përfshiheshin edhe shqiptarët. Të njëjtën pikëpamje pёr Kosovën dhe shqiptarët e kanë Kremlini, Akademia e Shkencave të Rusisë dhe Instituti i Sllavistikës në Moskë. Sipas tyre, qëllimi i shqiptarëve është të destabilizojnë Ballkanin dhe Europën nëpërmjet “akupunturës gjeopolitike”. Civilizimi i tyre, theksojnë ata, i ngjan atij të afganëve, irakenëve etj., me të cilët lufton SHBA.
Në fushatë Trampi foli edhe për të pavërteta të tilla si vazhdimi i vrasjeve masive midis serbëve dhe shqiptarëve, të cilave, gjoja, ai iu dha fund me gjenialitetin e tij, duke i bërë njëlloj përgjegjës për luftën, shqiptarët dhe serbët. Ngjashëm mendon edhe Moska, por ajo shkon më tej, duke ua hedhur gjithë fajin “terroristëve shqiptarë”.
Duke hequr dorë nga ҫështjet politike, për t`u marrë vetëm me ato ekonomike, në thelb, presidenti Tramp, e ka shtyrë për në kalendat greke ҫështjen e marrëveshjes përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë. Të njëjtin mendim ka edhe Moska, duke kërkuar që të mos ketë “afate artificiale” dhe të mos nxitohemi në dialogun Kosovë-Serbi.
Por nuk janë vetëm ngjashmëritë në mentalitet ato qё e përafrojnë Trampin me Putinin. Duket se drejt tij e shtyjnë edhe interesat, në radhë të parë, ato që lidhen me nevojën e tërheqjes së Rusisë në anën e SHBA-së, kundër Kinës, sfiduesit kryesor të dominimit të fuqisë amerikane. Me 25 prill tё kёtij viti, Trampi dhe Putini dolёn me njё deklaratё tё pёrbashkёt, nё tё cilёn flitet pёr rёndёsinё qё ka ruajtja e kujtesёs mbi takimin nё Elbё, 75 vjet mё parё, tё ushtarakёve amerikanё dhe rusё, si vёllezёr armёsh. Nё deklaratё theksohet se “Fryma e Elbёs ёshtё njё shembull se si vendet tona mund tё lёnё anash dallimet, tё ndёrtojnё besimin dhe tё bashkёpunojnё pёr njё kauzё mё tё madhe”. Nё qoftё se gjatё Luftёs sё Dytё Botёrore, me “kauzё tё madhe” kuptohej lufta kundёr Gjermanisё naizste, nuk ёshtё vёshtirё qё sot tё merret me mend qё ajo lidhet me pretendentin e ri pёr hegjemoni, Republikёn e Kinёs. Kjo ёshtё arsyeja qё njё pjesё e adminsitratёs sё Trampit dhe disa kongresmenё kanё shprehur shqetёsim se, “Fryma e Elbёs” mund tё zbusё gjuhёn e Uashingtonit ndaj Moskёs.
“Dashamirësinë” e Trampit ndaj tij, Putini është përpjekur t`ia shpërblejë. Moska zyrtare nuk e ka kritikuar asnjëherë përsonalisht Trampin, përkundrazi, ka vënë në dukje dëshirën e tij për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe. Këto ditë, gjatë një fjalimi në klubin “Valdai”, presidenti Putin u shpreh i gatshëm për zgjatjen edhe një vit të Traktatit të Armëve Strategjike Sulmuese (III), që u vlerësua si gjest në favor të Trampit, në prag të zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Në qoftë se krahasohet pozita ndërkombëtare e Rusisë në vitin 2016, me atë ku ndodhet sot, pas përfundimit të mandatit 4 vjeҫar të Trampit, mund të arrihet në përfundimin se në politikën e jashtme, aktualisht, ajo paraqitet shumë më e konsoliduar. Për fat të keq, për shkak të politikës agresive të Rusisë dhe qëndrimeve joparimore të Trampit ndaj saj, sot bota është më pak e sigurtë.
Për këto arsye, vështirë të besohet që Donald Trampi është personi i duhur për të larguar Rusinë nga Ballkani dhe për të siguruar arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të ҫonte në njohjen e ndërsjellë.
Duket se kandidati tjetër për president të SHBA-së, Xho Bajdeni, është më i përgatitur dhe më i vendosur për këtë mision të vështirë. Që në janar të viti 2018, ai ka kritikuar ashpër politikën e administratës Tramp, e cila, “nuk e merr seriozisht kërcënimin rus” dhe ka kërkuar që Putinit t`i bëhet e qartë që nuk mund të vazhdojë me politikat e tij destruktive, pa u ndëshkuar. Në shkrimin e tij, “Përse Amerika duhet të udhëheqë sërish botën”, botuar me 27 janar 2020, në revistën “Foreign Affairs”, Bajdeni kërkoi forcimin e aftësive ushtarake të NATO-s për t`u përballur me kërcënime jotradicionale, si dezinformacioni dhe sulmet kibernetike, që vijnë nga Rusia. Po në këtë shkrim, Bajdeni e kritikon Trampin, i cili, sipas tij, “e ka trajtuar NATO-n si një bandë që ofron mbrojtje në këmbim të parave”. Ndërkaq, me 25 tetor 2020, ai deklaroi se, nga pikëpamja e sigurisë amerikane dhe asaj të aleatëve tanë, aktualisht, Rusia përbën kërcënimin më të madh, kurse Kina është konkurrenti ynë më i madh.
Edhe për dialogun Kosovë-Serbi, Bajdeni duket se është shumë më i kthjellët dhe më i drejtë se sa Trampi. Ai kërkon trajtim të barabartë të palëve dhe bashkëpunim me BE-në për gjetjen e një zgjidhjeje që respekton integritetin territorial dhe ҫon në njohjen e Kosovës nga Serbia.
Duke shpresuar dhe uruar që pikërisht Xho Bajdeni të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA-së, ne duhet të mobilizohemi maksimalisht që të bëjmë detyrat që na takojnë: të vazhdohet më me intensitet puna për forcimin e ushtrisë së Kosovës, rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të saj luftarake; të forcohet bashkëpunimi me NATO-n dhe të shtohen përpjekjet për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë; Shqipëria të shohë mundësinë e iniciimit të diskutimit në NATO të ҫështjes së hapjes së zyrës së Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë në Beograd; të vetëdijësohemi si shtete dhe si shoqëri që Rusia ka qenë dhe mbetet kërcënimi kryesor dhe shumëdimensional ndaj lirisë dhe pavarësisë së Kosovës dhe, përgjithësisht, ndaj ҫështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.