Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se së shpejti do të ndërtojnë shtëpi të reja dhe do t’ua dorëzojnë ato qytetarëve të cilët mbetën pa kulm mbi kokë si pasojë e tërmetit të fuqishëm që dje goditi Izmirin, raporton Anadolu Agency (AA).
“Inshallah, shumë shpejt do të ndërtojmë shtëpi të reja dhe do t’ua dorëzojmë qytetarëve tanë që iu rrënuan nga tërmeti”, tha Erdoğan në një kongres të Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në Van.
Ai theksoi se të gjitha institucionet dhe ekipet e shpëtimit dhe emergjencës kanë nxituar menjëherë në ndihmë të “vëllezërve nga Izmiri”.
Ndryshe, 28 persona kanë humbur jetën deri më tani dhe mbi 800 janë lënduar si pasojë e tërmetit me magnitudë 6,6 ballë që goditi dje rajonin e Izmirit në Turqinë perëndimore.