Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, kërkoi nga Parlamenti i vendit që të miratojë zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme deri në tetor.
Masa aktuale skadon në fund të këtij muaji.
Zgjatja e saj do të bënte që dekretet ekzistuese, të lëshuara për luftimin e koronavirusit, të mbeten në fuqi.
Ato i japin më shumë kompetenca si shtetit, ashtu edhe qeverisë qendrore, si dhe forcojnë burimet spitalore.
“Virusi vazhdon të evoluojë dhe nuk e ka ndryshuar rrjedhën e tij”, tha Conte.
“Nuk do të ishte në përputhje me rrethanat pezullimi i një mase të tillë efektive”, tha ai.
Gjendja e jashtëzakonshme mundëson që qeveria qendrore dhe qeveritë rajonale të izolojnë zonat në rast të shpërthimeve të mëdha të rasteve me koronavirus.
Kjo masë është vendosur qysh në mars, në përpjekje për ta vënë virusin nën kontroll.
Italia fillimisht ka qenë epiqendër e koronavirusit në Evropë.
Ajo ka konfirmuar mbi 246,000 raste pozitive – prej tyre mbi 35,000 kanë humbur jetën.
Në javët e fundit, numri i të infekturave dhe viktimave ka rënë dhe ekonomia është rihapur.
Maskat në fytyrë janë të detyrueshme në transportin publik dhe në dyqane, ndërsa distanca fizike prej një metri kërkohet në hapësirat publike.