Italia e ka të vështirë rihapjen për turizmin. Restorantet ofrojnë menu pa prekje, por turistët vazhdojnë të shmangen.
Gaetano Mussini, shefi i një biznesi për marrjen e varkave me qira, anketon disa qindra njerëz, shumë prej të cilëve janë të veshur me rroba të shtrenjta, duke shëtitur për të shijuar motin me diell, ose duke qëndruar të ulur në tavolinat jashtë bareve dhe restoranteve të Portofinos. “Duket sikur jemi kthyer pas në kohë, në vitet 1960”, thotë ai.
Që prej asaj kohe, rrallëherë qëllon të shohësh Portofinon, një rezort elegant në rivierën italiane, me kaq pak lëvizje në një pasdite të shtune: kur më të pasurit u zhvendosën në vende më ekzotike, në qytezë erdhën udhëtarët aventurierë, shkruan “The Economist”.
Tani Portofino mund të jetë duke përjetuar sërish vitet dolce vita, por tashmë janë të pranishëm kudo dezinfektuesit e duarve dhe maskat kirurgjikale. Shenjat “Qëndroni këtu” janë vendosur gjithandej përgjatë molit, për të ruajtur distancimin social. Në kafenenë Excelsior, klientëve u jepet një kod QR, me anë të të cilit mund të shohin menunë në smartfonët e tyre, për të shmangur atë prej letre.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, turizmi kontribuon me rreth 13% në PBB-në e Italisë. Në Liguria, rajoni ku ndodhet Portofino, ai përbën 14-15%, thotë Giovanni Berrino, këshilltari rajonal i turizmit. Gjatë karantinës, hotelet e lokalet humbën 95% të xhiros normale. Por ata kanë ende muajt e verës përpara, që janë më të rëndësishmit dhe fitimet e tyre do të varen nga numri i pushuesve që do të joshen për të vizituar rajonin nga periudha e tanishme deri në mes të shtatorit. Zoti Berrino beson se turistët e kujdesshëm për ruajtjen e distancimit social, mund të jenë më të prirë të shkojnë me pushime në fshat, sesa të vizitojnë plazhet plot me njerëz. “Jemi me fat që kemi edhe male, edhe pyje”, thotë ai.
Qeveria qendrore shpreson t’i bindë italianët për t’i kaluar pushimet në vendin e tyre, duke ofruar uljen e faturave të hotelit deri në 500 € (568 dollarë). Aldo Werdin, kryetari vendor i Shoqatës së Hotelierëve, thotë se anëtarët e tij dëshironin një sistem si ai që u lejon turistëve nga jashtë BE-së të rimarrin TVSH-në për blerjet e tyre. Kjo duhej të ishte aplikuar për të gjithë. Por qeveria e majtë populiste e Italisë vendosi ta kufizojë atë vetëm për banorët italianë me të ardhura familjare nën 40,000 € në vit.
Si shumë nga masat e rimëkëmbjes, kjo duket e ndërlikuar dhe e panevojshme. Nëse miratohet nga Parlamenti, 80% e zbritjes do të vijë nga hotelierët, të cilët do mund ta heqin atë nga faturat e taksave. Turistët do të marrin 20% e mbetur si një kredi e taksës personale. “Është më mirë se asgjë”, psherëtin zoti Berrino. “Por nuk mendoj se do të sjellë ndonjë ndryshim të madh”. Pyetja kryesore, sipas tij, është nëse Italia do mund të joshë turistët e huaj, të cilët, në Liguria, kontribuuan me gjysmën e xhiros së sektorit vitin e kaluar.
“E shihni atë molin atje tej?” pyet zotin Mussini. “Ai është për jahtet private.” Dhe është bosh. Disa priten të vijnë më vonë në qershor. Por asnjë kroçierë nuk ka rezervuar ende një vend ankorimi këtë verë. Disa turistë francezë erdhën në Portofino që kur Italia hapi kufijtë e saj më 3 qershor. Por gjermanët nuk do të mund të vijnë lehtësisht në Itali me makinë, derisa zviceranët dhe austriakët të hapin kufijtë, përkatësisht më 15 dhe 16 qershor. Nga ana tjetër, britanikët tashmë duhet të kalojnë 14 ditë në karantinë pas kthimit. Gjithashtu duket e pamundur që shumë turistë amerikanë ose nga Azia Lindore të tundohen për të vizituar Italinë këtë vit.
Kjo do të ishte një goditje e fortë edhe për udhëzuesit e shumtë turistikë që janë të vetëpunësuar dhe më 9 qershor, protestuan në disa qytete. Qeveria i ofroi dy pagesa prej 600 € secila për muajin mars dhe prill, por shumë prej tyre u përjashtuan nga një pagesë e tretë për muajin maj. Udhëzuesit turistikë mendojnë se nuk do të punojnë dot deri në marsin e ardhshëm dhe deri atëherë, kërkojnë mbështetje nga shteti. Por, të njëjtën gjë, kërkojnë edhe shumë të tjerë.