——-Tiranë më 25.06.2020

Festa e Plisit të Bardhë” po e shtrin dimensionin e vet mbarëkombëtar edhe në Preshevë

—Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren e mirëpriti me entuziazëm lajmin e gëzueshëm, për mbajtjen për herë të parë gjatë muajit Gusht 2020 të “Festës se Plisit të Bardhë” në Caravajkë të Preshevës.

—Fakti që jo më larg se sa me datën 13 Qershor të këtij viti, u arrit që nga shoqëria civile e mbledhur në Pallatin e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë,  është vendosur definitivisht që të mbahet “Festa e Plisit të Bardhë” edhe në Preshevë.

—Ky lajm i emëtuar në shumë portale është jo vetëm sihariq, por edhe një profeci e gjallë e faktorizimit atje të elementëve progresistë shqiptarë, por edhe një ogur i mbarë e i bardhë për ndërgjegjësimin e faktorit e shpirtit masiv patriotik shqiptar.

—Kjo arritje në rrugën e progresit të shoqërisë civile Preshevare, ishte edhe si një paraprirje ogurbardhë e arritjeve në zgjedhjet parlamentare në Serbi dt.14.06.2020, ku faktori politik shqiptar atje, këtë radhë i unifikuar si asnjëherë tjetër arriti një sukses të paparë ndonjëherë tjetër në kushtet e Serbisë për sa i përket numrit prej katër deputetësh shqiptarë në atë parlament.

—Ndonëse Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva me kryetarin e saj z. Xhemaledin Salihu, ishte e para ndër shoqatat që e përkrahu nismën e Shoqatës Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren, që “Festa e Plisit të Bardhë”, e cila mbahej prej vitesh në malin e Dajtit mbi Tiranë të shpallej si festë mbarëkombëtare shqiptare, edhe kjo si një element tjetër unifikues, tani ajo e bëri jetësimin e asaj nisme, si një fillim për të mos u ndalur kurrë më tjetër.

—Ndonëse “Festa e Plisit të Bardhë”, do mbahet për herë të parë edhe në Preshevë, por lidhur me këtë aksion i cili duhet të marrin shtrirjen e peshën mbarëkombëtare, Presheva ndër vite duke u organizuar nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore, Preshevë jo vetëm se kanë marrë pjesë në këtë festë që mbahet prej vitesh në malin e Dajtit mbi Tiranë, por edhe i ka dhënë dinamizëm duke marrë pjesë aktive në veprimtaritë e asaj dite.

— “Festa e Plisit të Bardhë”, do dhe duhet të shërbejë si një ditë e demostrimit manifestiv të bilancit vjetor në komunitet të mënyrës së ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë më të vyer tradicionale etno-kulturore të popullit shqiptar, për t’u ruajtur e pasuar në breza si një vlerë e shtuar dhe konkuruese jo vetëm për rajonin por edhe më gjerë.

—Vendimi i rëndësishëm që “Festa e Plisit të Bardhë” të mbahet edhe në Preshevë në raport me shumë kontekste është një vendim me rëndësi  kombëtare, por edhe shembull për t’u ndjekur edhe në viset e tjera shqiptare të Gadishullit Ilirik.

—Mbështetja dhe masivizimi i kësaj nisme duhet të bëhet me qëllim që të mos lejohet që traditat tona të tjetërsohen e zëvendësohen nga tradita të huaja të inspiruara me metodat nga më të rafinuarat, përmes fondacioneve, shoqatave, besimeve fetare që tejkalojnë normat e besimit, etj.

—Ndonëse prej kohësh Presheva për mua është bërë si një pikë gravidacionale, këtë rradhë Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren mezi po pret që të marrë pjesë në atë festë me një delegacion përfaqësues të saj.

—-Nga Agron Isa Gjedia

_______________________________

NGA: SEVDAIL HYSENI MË: 14 QERSHOR 2020 NË ORA: 08:52

Manifestimi Mbarëkombëtar “Festa e Plisit të Bardhë” edhe në Preshevë

Në Pallatin e Kulturës “Abdulla Krashnica” në Preshevë, të shtunën e 13 qershorit, të këtij viti, u mbajt një takim konsultativ lidhur me organizimin e manifestimit mbarëkombëtar shqiptar, tashmë tradicional, “Festa e Plisit të Bardhë” edhe në Komunën e Preshevës.

Qëllimi i këtij takimi me karakter konsultativ ishte njohja për së afërmi rreth iniciativës për shtrirjen e “Festës së Plisit të Bardhë” nga Dajti i Tiranës dhe Prizrenit edhe në Preshevë.

Kryetari i Shoqatës për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Presheva  z. Xhemaledin Salihu, pjesëmarrësve të këtij takimi konsultativ, ua bëri të njohur nismën për organizimin e “Festës së Plisit të Bardhë” në Caravajkë të Preshevës, një vend i mrekullueshëm për mbajtjen e këtij evenimenti të lartë kulturor.

Manifestimi sipas prof. Salihut, do të organizohet gjatë muajit korrik 2020, do të ketë karakter multikulturor, në të cilin pritet të marrin pjesë: Shoqata Mbarëkombëtare “Bytyçi”, Tiranë-Prizren e shoqatat e tjera nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe  shoqatat e tjera joqeveritare nga Lugina e Preshevës.