-Letër e Hapur nga studiuesi e shkrimtari Pjetër META, drejtuar Shenjtërisë së Tij, PAPA FRANCESKU në Vatikan, për njohjen e Kosovës shtet i pavarur e sovran –
Fort i nderuar At’!
Më falni, Ju lutem, për sa po Ju shkruaj!
Së pari, dëshiroj nga zemra, që tu uroj shëndet e jetë të gjatë në krye të Selis së Shenjtë të Vatikanit, nga ku rrezaton paqe, mirësi e dashuri për të Lumin zot e për gjithë njerëzimin.
Po u drejtohem Ju Shenjtëri, Papë i uruar e respektuar i të gjithë katolikëve të botës, sot 13 ditë para natës së Shën Antonit të Padovës, Doktor Ungjillor, thënë ndryshe në shqip,- “Nata e Shna Ndout”, përvjetori i 789 të vdekjes, me një lutje, me përuljen më të thellë para Jush, që të na e plotësoni një kërkesë të ligjshme.
Para se t’ua shkruaj kërkesën time, dëshiroj që tu prezantoj, Shenjtëri, me disa të vërteta të hidhura padrejtësie, që i janë bërë popullit shqiptar ndër shekuj. Populli shqiptar, është i vetmi popull në botë, që kurrë nuk ka ndërmarrë luftëra pushtuese ndaj asnjë populli tjetër gjatë gjithë historisë së tij.
Populli shqiptar është ndër popujt e parë në botë, që përqafoi Krishterimin, që në vitet ’60-‘80 pas Krishtit, kurse në Dardani (Kosova e sotme), që në shekullin e parë pas Krishtit, pesë shekuj pas dyndjeve serbe, me ç’rast është ngritur dhe ka funksionuar organizimi kishtar në këto troje.
Populli shqiptar, me kryetrimin Gjergj Kastrioti Skënderbeu (Atleti i Krishtit) në krye, ishte i vetmi në Evropë, që ndaloi marshimin e otomanizmit drejt qytetërimit evropian, i cili bashkë me luftëtarët e tij, në politikën e të cilit mishërohej krishterimi roman, ndaloi shkatërrimin e Romës dhe rrezikun që i kanosej me këtë rast qendrës më të madhe të Krishtërimit ,- Selinë e Shenjtë.
Ky shërbim madhorë dhe i paharrueshëm, duhet të përbëjë një falënderim dhe mirënjohje të Evropës dhe Vatikanit për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët me një intuitë të shkëlqyer dhe një fuqi të pazakontë, dhe pse një popull i vogël, iu kundërvunë me sukses një rës nga perandoritë më të mëdha të kohës, siç ishte Perandoria Otomane.
Por populli shqiptar është i vetmi popull në Evropë, i cili është ndarë dhe copëtuar nga Fuqitë e Mëdha, sikur të ishte plaçkë tregu, për të plotësuar shijet dhe pasionin shovinist të fqinjëve tanë, armiqtë dhe pushtuesit shekullorë të këtij populli, siç janë Serbia dhe Greqia.
Sot populli shqiptar, me një shtrirje historike që nga Athina deri në portat e Beogradit, është shpërndarë (copëtuar) në pesë shtete, me dy shtete shqiptare, Shqipëria mëmë me 28.748 km2, dhe shtetin e Kosovës me 10.887 km2, nga 92.000 km2, që Shqipëria ishte para vitit 1912.
Të gjitha ndarjet që iu bënë Shqipërisë, si tokat dhe popullsia, ishin fatkeqësi e dhimbje e madhe, por ndarja e fundit, më 29 korrik 1913, në Konferencën e Ambasadorëve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Londër, ishte tragjike, një thyerje më dysh të vendit, popullsisë dhe kombit shqiptar. Në këtë konferencë, e ashtuquajtur “Konferenca e Paqes”, Shqipërisë iu shkëputën 10887 km2 territore, Kosova (Dardania historike), duke ia aneksuar Serbisë.
Serbia dhe serbët, historikisht e kanë masakruar popullin dardan (shqiptar). Që nga viti 1300-1320, kur Serbia u bë perandori, i masakroi shqiptarët katolik të Dardanisë, duke iu djegur, shkatërruar e tjetërsuar të gjitha kishat latine- katolike, e duke ngritur mbi themelet e tyre kishat ortodokse serbe, për të “ligjëruar” pretendimet historike, se këtu “është tokë serbe”.
Por masakrat më çnjerëzore mbi popullin kosovarë (dardan), Serbia i ka bërë gjatë shekullit të XX-ë, duke vrarë në grupe qindra burra para varreve masive të hapura para tyre e më pas, ashtu siç janë vrarë dhe masakruar me qindra a më shumë në vitet 1989-1999, siç Ju Shenjtëri e dini dhe që i keni parë dhe të pasqyruara në kronikat e këtyre ngjarjeve dhe në dokumentarët e Luftës së Kosovës në fund-shekullin e kaluar.Të gjitha këto masakra, kishin në themelin e vet padrejtësinë e Fuqive të Mëdha dhe që Evropës, që iu bënë shqiptarëve, e cila vetëm pas 100 vjetësh, me Lutjen edhe të Nënë Terezës, drejtuar Presidentit të SHBA-ve, Bill Klintonit, vuri në vend padrejtësinë e saj shekullore, duke ia shkëputur me luftë Kosovën Serbisë.
Po Selia e Shenjtë, a duhet të kthejë kokën pas, e të korrigjojë atë padrejtësi të madhe, që Evropa i bëri popullit të Kosovës (Dardanisë së hershme)?
Më lejoni që të sjell në vëmendjen Tuaj edhe disa të vërteta të tjera historike”
Ju kërkoi ndjesë, pasi gjithçka që unë do të iu shkruaj më poshtë, është thjeshtë një përpjekje e sinqertë për të sjellë në kujtesën Tuaj Shenjtëri, pasi Ju , të gjitha i dini. Sado që historia u soll keq me ne shqiptarët, Papë-t dhe Selia e Shenjtë kurrë nuk hoqi dorë e as nuk i la pas dore Shqipërinë dhe popullin shqiptar.
Janë me dhjetëra ndihmat dhe përkujdesjet e Papë-ve të Selis së Shenjtë për Shqipërinë, që nga Papa Point-i, në vitin 1571 e deri tek Papa Klementi i XI (me gjak shqiptar) në vitin 1711. Janë të shumta ndihmat e Papë-ve në përhapjen e kulturës shqiptare, që nga ngritja e kolegjeve, të shkollave, të botimit të librave, të gjuhës e të gramatikave shqipe.
Ishte monumentale, ndihma që që dha Papa Benedikti XV-të Shqipërisë, pas pritjes që i bëri kryetarit të delegacionit shqiptar Imzot Luigj Bumçi, dhe sekretarit At Gjergj Fishta, kur i prezantuan planin e dytë të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Paqes në Paris në tetor- dhjetor të vitit 1919, për t’i dhënë Greqisë Korçën dhe Gjirokastrën. Në saje të ndërhyrjes së tij (Papa Benediktit të XV-të) tek ambasadori amerikan, i cili duke ia prezantuar atë (planin) Presidentit të SHBA-ve Udro Uillson, këto territore mbetën në shtetin shqiptar, siç janë dhe sot.
Nuk mund të lë pa Ju sjellë në kujtesë dhe pritjen dashamirëse dhe vëllazërore, me një qasje të rëndësishme diplomatike për kohën, që Papa Gjon Pali i II-të, i bëri Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova, u pagëzua nga Papa si katolik i devotshëm, duke i treguar Evropës dhe popullit të tij, se populli kosovar ka qenë historikisht pjesë e saj dhe mbetet i tillë.
Ju Shenjtëri keni në dorë dhe mbi supe punët e gjithë botës, e unë dua me ua shtua pak rëndesën, por duke iu kërkuar falje, dua të ju kërkoj një nder të ligjshëm që mund t’i bëni popullit të Kosovës:
Në këtë kohë pandemie, unë një katolik i devotshëm nga zona katolike e Nikaj- Merturit, ku të parët e mijë u larguan nga viset e Dardanisë (Kosovës), kur Stefan Dushani po i digjte e persekutonte katolikët dardanë, Ju lutem dhe përulem para Jush, që të shpallni në pak kohë njohjen e Kosovës-SHTET.
Duke u njohur Kosova- shtet nga Selia e Shenjtë, shpresoj se nuk do të ketë asnjë pasojë negative qoftë autoriteti i Vatikanit dhe as feja katolike, por përkundrazi, paqja do të jetë më e sigurt.
Duke u njohur nga Selia e Shenjtë Kosova- shtet, shpresoj dhe kam besimin e plotë në atë të vërtetë që Ju Shenjtëri ua thatë më 24 shtator 2014 në vizitën Tuaj në Tiranë shprehimisht:”Nënë Tereza, është bijë e madhe e këtyre trojeve, Paqe në shtëpitë tueja!”, se pas këtij akti, në Kosovë do të ketë më shumë paqe dhe mirësi.
Me respekt për Ju e mirësinë Tuaj Atë,
nga një besimtar i Zotit,
Pjetër META,
Studiues – shkrimtar
Tiranë, më 02 qershor 2020