Ti je gjëja e tjetrit që shijohet tinëz…

Rrymat e vështrimit tim ta zënë frymën:
dashtë Zoti të këputesh nga dega para këmbëve të mia
si zogu prej syve të gjarprit! Ti asnjë hap s’e hedh dot.
Tashmë je pështjellë në një rrjetë të dendur shigjetash imcake –
janë qerpikët e mi, që të ngulen në lëkurën e tejpashme
dhe të magjepsur humbasin në parzmin tënd
të veshur me akullin e një një bukurie jashtëtokësore.
Vështrimi im është kryedemoni i hadit të nxehtë që ngre krye;
vështrimi im është gjuha e tij e prushtë që të lëpin.
Shigjetat e vështrimit tim humbin në poret subtile të kurmit tënd fërgëllues,
të zbardhur nga shkumat e dantellta të deteve.
Unë e ndjej plasaritjen e koracës së akullt. E dëgjova…
diçka bëri “krrak” në krahërorin tënd. Statuja jote e brendshme
rreh të çlirohet nga paraliza dimërore në një liri të tabuizuar profane.

Ti je gjëja dhe streha vetëm e vetes tënde.
Tjetri do të sprapset. Herëdokur.

E dua belin tënd të gjallë, të përpëlitet si peshk elektrik në dorën time.
Ti je trofe detesh, për at’ Poseidon! Je peshk, je sirenë, koral i alltë dhe meduzë.
Floknaja jote ka me e përmbytë shtratin me mistere thellësish: e parandjej
si do të shpleksesh mes shkumës konfuze ndër çarçafë
si një festë rikrijimi në ishuj antikë.
Ai tjetri u vel para kohe pa e prekur zemrën e mrekullisë. Nuk i takon atij zbulimi!
Shigjetat e qerpikëve të mi humbën të gjitha në të bardhën tënde prej mushmolle.
Nëse muri yt prej kristalesh të akullta nuk shembet tani…
kjo ka për të qenë një ndodhi tragjike, pa qerpikë
dhe sytë e mi do të mbeten prore të ngrirë,
të gozhduar në mur…
Dhe mos pafshin më kurrë!